Home / Lajme / Ndërkombëtare / Zelenskyy: Sulmi rus në termocentralin e Slovianskut tregon nevojën për një përgjigje më të fortë

Zelenskyy: Sulmi rus në termocentralin e Slovianskut tregon nevojën për një përgjigje më të fortë

“Njerëzit normalë nuk bëjnë luftë në këtë mënyrë, dhe bota duhet të reagojë siç duhet ndaj këtij lloji veprimi të Rusisë”, tha presidenti ukrainas.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se sulmi rus ndaj Termocentralit të Slovianskut në veri të rajonit Donetsk ka lënë dy persona të vdekur dhe disa të plagosur, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ndaj këtyre veprimeve, transmeton Anadolu.

“Ngushëllimet e mia. Ka edhe të plagosur. Ky është terror i pastër. Njerëzit normalë nuk bëjnë luftë në këtë mënyrë, dhe bota duhet të reagojë siç duhet ndaj këtij lloji veprimi të Rusisë”, tha Zelenskyy në një deklaratë.

Më herët gjatë ditës, kreu i Administratës Rajonale të Donetskut, Vadym Filashkin, njoftoi se dy persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore dhe me dron ruse në rajonin lindor të Ukrainës.

Zelenskyy theksoi vazhdimin e bashkëpunimit të Ukrainës me partnerët ndërkombëtarë për të forcuar sigurinë energjetike të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi marrëveshje konkrete me Norvegjinë, pikërisht në fushën e energjisë, për të mbështetur blerjet tona të gazit. Ne gjithashtu kemi marrëveshje me Gjermaninë, Italinë dhe Holandën dhe po punojmë me ta për pajisje për prodhimin e energjisë elektrike”, tha ai.

Zelenskyy shtoi se ministri i energjisë i Ukrainës zhvilloi një takim me përfaqësuesit e G7-s për të diskutuar mbështetje shtesë për sistemin energjetik të Ukrainës.

Termocentrali i Slovianskut është goditur disa herë gjatë konfliktit.

/aa.com.tr