Gazetari Mehmet Gjata, njohës i vjetër i sektorit të energjisë ka deklaruar për “Front Online” se qeveria aktuale në detyrë nuk ka mundësi reale për të mbrojtur qytetarët nga çmimet e larta të energjisë elektrike.
“Qeveria, e sidomos kjo në detyrë, ose në dorëheqje, për shkak të rrethanave të ditura, nuk mund të bëjë, praktikisht shumë, për të mos thënë asgjë, për të mbrojtur qytetarët nga kostoja e lartë e rrymës. Kosova tashmë 25 vjetë nuk ka rrymë të mjaftueshme të prodhuar nga kapacitetet vetanake (termocentralet e KEK-ut), ndërsa mungesat, që gjatë sezonit të dimrit, bëhen shumë të theksueashme, duhet domosdo të kompenzohen ose nga importi I shtrenjtë, ose nga reduktimet e ashpra në konsumin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjata kritikoi të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe atë të fundit, për mungesë vizioni dhe paaftësi në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.
“Të gjitha qeveritë e deritashme, edhe kjo e fundit, janë treguar të pa shkathet dhe të padijshme, pa vizione konkrete të realizueshme, për të ndërtuar kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike, qoftë sosh nga qymyri, qoftë kapacitet prodhuese të energjisë së rinovueshme. Të gjitha këto kanë mundur të bëhen, por klasa politike vendimmarrëse në të gjitha qeveritë u dëshmuar miope dhe e pa zoja për ta bërë këtë punë”, thotë Gjata.



