Deklarata e Shkupit është nënshkruar në mbyllje të edicionit të 14-të të Forumit Ndërkombëtar për Energjinë për Zhvillim të Qëndrueshëm, ku morën pjesë përfaqësues nga mbi 70 vende të botës. Dokumenti synon të përforcojë bashkëpunimin global dhe rajonal në tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme dhe sistemeve të qëndrueshme të furnizimit me energji.
Forumi, i cili u mbajt për tre ditë në Shkup, u organizua nga Ministria e Energjisë së Maqedonisë së Veriut, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe pesë komisionet rajonale të OKB-së. Sipas organizatorëve, mbi 500 pjesëmarrës dhe rreth 150 folës morën pjesë në 35 sesione, ku u trajtuan tema si modernizimi dhe dixhitalizimi i rrjeteve energjetike, financimet e gjelbra, tranzicioni i drejtë dhe barazia gjinore në sektorin e energjisë.
Deklarata thekson se tranzicioni energjetik duhet të mbështetet në politika të integruara, investime të qëndrueshme, rritje ekonomike të drejtë dhe qasje të balancuar për të mos lënë askënd pas. Ajo bën thirrje për përforcim të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar, nxitje të inovacionit dhe përdorim më të madh të burimeve të ripërtëritshme.
Ministrja e Energjisë së Maqedonisë së Veriut, Sanja Božinovska, e cilësoi forumit si pikë të rëndësishme kthese për rajonin, duke shtuar se Shkupi për tre ditë ishte qendër globale e dialogut për energjinë e qëndrueshme.
Deklarata e Shkupit pritet të shërbejë si dokument referent për vendet pjesëmarrëse në përparimin e reformave, harmonizimin e tregjeve dhe nxitjen e investimeve drejt një të ardhmeje energjetike më të pastër dhe më të sigurt.



