Home / Lajme / Rajoni / ESM: Maqedonisë së Veriut i duhen rreth 3 miliardë euro investime për të zëvendësuar prodhimin me qymyr

ESM: Maqedonisë së Veriut i duhen rreth 3 miliardë euro investime për të zëvendësuar prodhimin me qymyr

Kompania shtetërore e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, ESM, vlerëson se vendi duhet të investojë rreth 3 miliardë euro gjatë 15 viteve të ardhshme për të zëvendësuar kapacitetet aktuale të prodhimit të energjisë bazë, të cilat sot mbështeten kryesisht në termocentralet me qymyr.

Sipas drejtorit financiar dhe anëtarit të Bordit të ESM-së, Ivan Stojanovski, aktualisht rreth 840 MW të kapacitetit bazë sigurohen nga termocentralet e Bitolës dhe Oslomejit – dhe për këtë arsye tranzicioni është domosdoshmëri energjetike dhe ekonomike për vendin.

Plani i investimeve parashikon:

  • 1 deri në 1.3 miliardë euro në projekte me energji diellore, erë dhe bateri;
  • 500 – 700 milionë euro për kapacitete të reja me gaz;
  • 1 deri në 1.3 miliardë euro për hidrocentrale të mëdha, përfshirë projektin e Çebrenit dhe projektet në Luginën e Vardarit.

Stojanovski theksoi se qymyri është burim vendor, ndërsa gazi do të duhej të importohej, çka sjell rreziqe për sigurinë e furnizimit. Për këtë arsye, roli i hidrocentraleve dhe energjisë së ripërtëritshme shihet si shtylla kryesore për tranzicion afatgjatë.

Financimi do të kërkojë model të kombinuar: mjete të ESM-së, fonde nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe mbështetje nga buxheti i shtetit me garanci sovrane. Kompania tashmë po bashkëpunon me EBRD dhe KfW, ndërsa janë duke u zhvilluar bisedime edhe me AFD dhe bankën zhvillimore italiane Cassa Depositi e Prestiti.

Maqedonia e Veriut, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, përballet me një tranzicion të vështirë: shkëputja graduale nga qymyri kërkon investime të mëdha, kohë, si dhe stabilitet politik e financiar për të siguruar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji në vitet në vijim.