Kompania Eco Park Group LLC, me seli në Gjakovë, ka përfunduar ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet prej 6 megavatësh (MW) në lokacionin “Kodra e Hutit” në fshatin Madanaj të kësaj komune.
Projekti, i quajtur “Eco Park Group GMW”, është zhvilluar përmes procedurës së Autorizimit për Ndërtim të Kapaciteteve të Reja, dhe aktualisht ndodhet në fazën finale të licencimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Sipas njoftimit zyrtar, Eco Park Group ka aplikuar në ZRrE për licencë të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, në pajtim me Rregullën për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë (Z.RRE./Nr.07/2017).
Punonjësit e Zyrës kanë shqyrtuar aplikacionin dhe dokumentacionin përkatës, duke e cilësuar projektin si të gatshëm për vendimmarrje. Pas miratimit të licencës, kompania do të mund të fillojë prodhimin komercial të energjisë elektrike në përputhje me dispozitat ligjore dhe kushtet e licencës.
Ky është një nga projektet më të mëdha diellore në komunën e Gjakovës, që pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të energjisë së pastër në Kosovë dhe në zbatimin e objektivave të tranzicionit energjetik drejt burimeve të ripërtëritshme.




