Njësia B2 e Termocentralit Kosova B ka përfunduar modernizimin më të madh teknologjik në më shumë se katër dekada, duke rritur kapacitetin e saj të prodhimit me 35 MW dhe duke zgjatur jetëgjatësinë operacionale për rreth 20 vite të tjera.
Sipas Ministres në detyrë të ekonomisë, Artane Rizvanolli, investimi kryesor ka qenë modernizimi i turbinës së B2, i shoqëruar me një sërë intervenimesh përcjellëse brenda njësisë, duke e kthyer këtë projekt në investimin më të rëndësishëm në 40 vitet e fundit në sektorin e prodhimit nga qymyri në Kosovë.
Rizvanolli rikujton se prishja e kësaj turbine në kulmin e krizës energjetike në dhjetor 2021 ka shkaktuar rreth 50 milionë euro kosto shtesë vetëm për një muaj import energjie. Me përditësimin e kryer këtë vit dhe daljen e B2 nga funksioni për më shumë se gjashtë muaj gjatë punimeve, synimi është që rreziku i prishjeve të këtij niveli të shmanget dhe të minimizohet në të ardhmen.
Pas modernizimit, për prodhimin e secilit MWh tash përdoren rreth 1.15 ton qymyr, krahasuar me 1.3 ton më herët — çka nënkupton eficiencë më të lartë të konvertimit dhe një reduktim të konsumit të qymyrit për njësi energjie.
Me këtë investim, B2 pritet të mbetet burim stabil prodhimi për dekadën e ardhshme, në një periudhë ku siguria e furnizimit mbetet sfidë kyçe në sistemin energjetik të Kosovës.



