Eksperti i lartë i energjisë në Evropë, Arben Kllokoqi, ka mbajtur një ligjëratë në RIT Kosovo (Rochester Institute of Technology in Kosovo), ku para studentëve prezantoi funksionimin e Komunitetit të Energjisë, tranzicionin drejt Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe zhvillimet në tregjet moderne të energjisë elektrike.
Kllokoqi, i cili ka mbi dy dekada përvojë profesionale në sektorin energjetik evropian – përfshirë angazhime në EFET, EDF Trading London dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë – foli mbi sfidat rregullatore, harmonizimin me acquis, reformat e tregut të energjisë, si dhe rolin e politikave të BE-së në transformimin e sektorit në rajon.
Ligjërata u fokusua edhe në implikimet që këto zhvillime kanë për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht në kontekst të integrimit gradual të tregjeve, rritjes së fleksibilitetit, hapjes së konkurrencës dhe kalimit drejt prodhimit më të pastër.
Studentët e RIT Kosovo u angazhuan me pyetje dhe diskutime mbi tregun e ditës në avancë, mekanizmat e balancimit, rregullimin ndërkufitar dhe sfidat që i presin ekonomitë e rajonit gjatë tranzicionit energjetik.
Kllokoqi theksoi se ky tranzicion nuk është vetëm çështje teknike e tregu, por pjesë e drejtpërdrejtë e transformimit ekonomik dhe strategjik europian – ku Kosova, pavarësisht sfidave, është pjesë e procesit të njëjtë të harmonizimit.



