Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Draft dokumenti i parë për Komunitetet e Energjisë së Ripërtëritshme prezantohet në Kosovë

Draft dokumenti i parë për Komunitetet e Energjisë së Ripërtëritshme prezantohet në Kosovë

Community Development Fund (CDF) organizoi dje një tryezë diskutimi për prezantimin e draft Dokumentit të Politikave për Komunitetet e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë, i zhvilluar në kuadër të projektit “Empowering Environmental Civil Society Organizations in Kosovo” (EECSOK).

Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, Komuna e Gjakovës, organizata të shoqërisë civile mjedisore, sektori privat, si dhe përfaqësues nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ALPEX, KEDS Energy dhe KOSTT.

Dokumenti paraqet një kornizë strategjike për krijimin dhe funksionalizimin e Komuniteteve të Energjisë së Ripërtëritshme (REC) në Kosovë, duke vendosur bazat për modele të decentralizuara të prodhimit të energjisë, në përputhje me praktikat evropiane, me synim forcimin e tranzicionit energjetik të vendit dhe rritjen e qëndrueshmërisë klimatike.

Përmes këtij dokumenti, CDF synon nxitjen e modeleve komunitare ku qytetarët, bizneset dhe institucionet lokale mund të kenë rol aktiv në prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme – duke krijuar mekanizma pjesëmarrjeje, përfitimi dhe qeverisjeje të përbashkët.

Projekti EECSOK financohet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe implementohet nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit.