Home / Lajme / Kosova / INDEP: Raporti i BE-së tregon ngecje serioze, Kosova duhet të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër

INDEP: Raporti i BE-së tregon ngecje serioze, Kosova duhet të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar pas Raportit të Progresit të BE-së 2025, duke theksuar se Kosova po mbetet prapa në tranzicionin e gjelbër dhe zbatimin e reformave në energji dhe mjedis.

Sipas INDEP, Kosova ende nuk po i kthen premtimet në veprime konkrete, sidomos në Agjendën e Gjelbër dhe Rritjen e Qëndrueshme.

Në sektorin e energjisë, raportohet varësi e madhe nga termocentralet me linjit, humbje të larta në rrjet dhe vonesa në miratimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP). Tenderi për 100 MW energji të erës dhe bashkimi energjetik me Shqipërinë vlerësohen pozitivisht, por konsiderohen hapa të izoluar pa strategji të thellë dekarbonizimi dhe mbrojtje për konsumatorët vulnerabël.

Në fushën e mjedisit, BE evidenton kapacitete të dobëta, rritje të ndotjes së ajrit, shtim të deponive ilegale dhe shpyllëzim masiv. INDEP paralajmëron se mbyllja e Task Forcës së Gjelbër dhe mungesa e inspektimeve përbëjnë rrezik për zbatimin e ligjit.

INDEP kërkon miratimin urgjent të NECP dhe ligjit për klimën, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe investime më të mëdha në energji të ripërtëritshme.

“Tranzicioni i gjelbër nuk është luks, por domosdoshmëri për shëndetin, sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e natyrës,” thekson organizata.