Home / Lajme / Kosova / Ministria e Ekonomisë publikon Manualin e Monitorimit dhe Vlerësimit për Strategjinë e Energjisë 2022–2031

Ministria e Ekonomisë publikon Manualin e Monitorimit dhe Vlerësimit për Strategjinë e Energjisë 2022–2031

Ministria e Ekonomisë ka lansuar Manualin e Monitorimit dhe Vlerësimit për Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2022–2031, një dokument kyç që synon të sigurojë zbatimin efektiv të Strategjisë dhe arritjen e objektivave të saj.

Ky manual do të shërbejë si mjet praktik për ndjekjen e progresit, vlerësimin e rezultateve dhe përmirësimin e politikave energjetike, duke mundësuar politikëbërje të bazuar në të dhëna dhe vendimmarrje të udhëhequr nga evidenca.

Hartimi i dokumentit është realizuar në bashkëpunim të gjerë ndërinstitucional, me përkrahje nga projekti “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, i cili financohet nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementohet nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me LuxDev, Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Ky manual pritet të ndihmojë institucionet përgjegjëse në rishikimin periodik të politikave energjetike, matjen e ndikimit të reformave dhe sigurimin e transparencës në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë.

Dokumenti mund të shkarkohet në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë.