Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se postet e karikimit të makinave elektrike që do të vendosen në parkime private do të përfitojnë energji me çmimin e konsumatorit familjar.
Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e njësisë nr. 5 në Tiranë për projektbuxhetin 2025, Rama u ndal te krijimi i shërbimit “OSHEE Charge’’ që do të ofrojë stacionet e karikimit të makinave elektrike.
“Të gjithë atyre, të cilët kanë një vend parkimi në vendin ku banojnë dhe kanë makinë elektrike, do t’u ofrohet mundësia e karikimit me çmimin e konsumatorit familjar, pra me një çmim jashtëzakonisht të ulët. Njësoj siç paguajnë energjinë në shtëpi, do paguajnë edhe energjinë që do përdoret për karikimin e makinës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo lidhet me faktin që karikimi i makinës pranë banesës do bëhet normalisht gjatë natës dhe është karikim i ngadaltë me kosto më të arsyeshme.
Po ashtu, Rama theksoi se “OSHEE Charge” është një shërbim që do t’i japë përgjigje dhe një shqetësimi të madh, që ka lindur me karikuesit që vendosen rrugëve, shpeshherë dhe në mënyrë ilegale.



