Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Takimin e Gjashtë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Fushën e Energjisë (P-TEC), mbajtur në Athinë, me ftesë të Sekretarit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chris Wright, dhe Ministrit të Mjedisit dhe Energjisë të Greqisë, Stavros Papastavrou.
Në këtë takim të nivelit të lartë morën pjesë ministra dhe përfaqësues nga 24 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore, Departamenti i Energjisë i ShBA-ve, si dhe Komisioni Evropian. Diskutimet u përqendruan në sigurinë energjetike dhe bashkëpunimin rajonal në sektorin e energjisë.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Rizvanolli prezantoi prioritetet e Republikës së Kosovës në sektorin energjetik, duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe pavarësisë energjetike përmes rritjes së prodhimit vendor.
Ajo theksoi se procesi i rehabilitimit dhe modernizimit të termocentraleve ekzistuese tashmë ka filluar, paralelisht me zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga burime të ripërtëritshme – diellore dhe eolike – përmes ankandeve, si dhe me ndërtimin e rezervave energjetike me bateri, të mbështetura nga grante të ShBA-së.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e përballueshmërisë së energjisë për qytetarët dhe bizneset, duke nënvizuar nevojën për rritjen e prodhimit vendor dhe efiçiencën e energjisë si mënyra efektive për uljen e kostove dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik.
Një tjetër pikë kyçe e paraqitur nga Ministrja Rizvanolli ishte integrimi rajonal i tregut të energjisë elektrike. Pas bashkëdyzimit të tregut me Shqipërinë përmes ALPEX-it vitin e kaluar, Kosova po punon drejt zgjerimit të integrimit me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, për të kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët energjetik në rajon.
Gjatë diskutimeve, Ministrja ngriti shqetësimin për bllokimin e linjës së transmisionit nga Serbia në kufirin Kosovë–Serbi, një veprim që, siç theksoi ajo, shkakton pasoja ekonomike për rajonin dhe rrezikon sigurinë energjetike të Kosovës.
Rizvanolli nënvizoi se mbingarkesa e linjave të tjera të transmisionit, si pasojë e këtij bllokimi, ka sjellë rritje të kostos së transmisionit për konsumatorët kosovarë. Ajo shtoi se, ndërsa në Evropë po diskutohet për bashkëpunim dhe ndërtim të infrastrukturës së re energjetike, është thelbësore të adresohen pengesat ekzistuese që minojnë bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë energjetike.



