Home / Lajme / Kosova / Rregulli i KESCO-s: Konsumatorët po shkyçen nga rrjeti edhe kur i “paguajnë” faturat

Rregulli i KESCO-s: Konsumatorët po shkyçen nga rrjeti edhe kur i “paguajnë” faturat

Sipas rregullit të KESCO-s, në qoftë se një faturë nuk paguhet në tërësi, saktësisht nëse nga fatura e fundit, konsumatori ka mbetur borxh qoftë edhe 1 euro, kjo llogaritet si faturë e papaguar dhe mund të vijë deri te shkyçja pa dijeninë e konsumatorit. Përveç shkyçjes, konsumatorët ngarkohen pastaj me taksën e ri-kyçjes prej 17.70 euro.

Që nga 1 gushti 2024, KESCO, Kompania për Furnizimin me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO), ka filluar ta aplikojë taksën për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit. Dhe, kjo taksë, bashkë me TVSH-në është saktësisht 17,7 euro. Por, edhe për këtë pagesë shumë konsumatorë janë të painformuar me detajet e mënyrës së pagesës, dhe kjo është duke i dëmtuar financiarisht konsumatorët borxhlinj.

Sipas rregullit të KESCO-s, nëqoftëse një faturë nuk paguhet në tërësi, saktësisht nëse nga fatura e fundit, konsumatori ka mbetur borxh qoftë edhe 1 euro, kjo llogaritet si faturë e papaguar dhe mund të vijë deri të shkyçja pa dijeninë e konsumatorit. Përveç shkyçjes, konsumatorët ngarkohen pastaj me taksën e ri-kyçjes prej 17.70 euro.

Zyrtarë të KESCO-s që duan të mbeten anonim, kanë sqaruar për Buletinin Ekonomik se “në sistemin e faturimit të KESCO-s, analizat e borxheve dhe të pagesave të konsumatorëve realizohen përmes disa programeve të brendshme (ÇP, CRM dhe sisteme raportimi), të cilat evidentojnë çdo detyrim të papaguar në mënyrë automatike”. Këto detyrime konsumatorët, janë të kushtëzuar t’i përmbushin, sepse mbesin pa energji elektrike. Prandaj, kushtimisht funksionon detyrimi i pagesës së taksës së shkyçjes së konsumatorëve.

Mirëpo, ka raste kur konsumatorët nuk janë të informuar se në qoftë se një faturë nuk paguhet në tërësi, atëherë këta konsumatorë vlerësohen mospagues të borxhit. Më konkretisht, nëse konsumatori në faturën e pagesës mbetet borxh, bie fjala, 2 ose 3 euro të papaguara, sistemi i aplikuar në KESCO e regjistron si faturë të papaguar. Kështu, në faturën pasuese, konsumatori figuron me dy fatura të papaguara, edhe pse shuma e mbetur është e vogël (qoftë 1, 2 apo 3 euro). Kjo situatë, sipas kësaj mënyre pagese nga KESCO (rregullave në fuqi të KESCO-s), e përmbush kriterin për shkyçje nga rrjeti dhe rrjedhimisht konsumatori ngarkohet me taksën e ri-kyçjes prej 17.70 euro.

Prandaj, konsumatorët borxhlinj duhet pasur kujdes me rastin e pagesës së shlyerjes së borxhit. Duhet thjeshtë të jenë të saktë që të përmbushin këtë rregull, për të shmangur taksën e rikyçjes prej 17.70 euro. Nga KESCO nuk kanë pranuar të japin më shumë detaje rreth metodologjisë që e përdorin për zbatimin e gjobës prej 17.7 euro. 

/Buletini Ekonomik