Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), përmes Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temën “Rëndësia dhe sfidat e shpalljes së Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit – Zonë e mbrojtur ‘Park i Natyrës’”. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i aspekteve shkencore, ligjore dhe institucionale që lidhen me procesin e shpalljes së kësaj zone me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe ekosistemet lokale.
Në punëtori morën pjesë përfaqësues nga Departamenti i Mjedisit i MMPHI-së, Instituti i Planifikimit Hapësinor, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, Policia e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes dhe Komuna e Istogut. Palët diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave natyrore, sfidat e menaxhimit të zonave të ndjeshme mjedisore dhe nevojën për koordinim të fortë ndërinstitucional gjatë procesit të studimit, shpalljes dhe menaxhimit të zonës së re të mbrojtur.
Gjatë tryezës u prezantua edhe progresi i deritanishëm në hulumtimin e vlerave natyrore në Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit, punë që po zhvillohet nga ekspertët vendorë të kompanisë GIS DataProject. Institucionet u ftuan të ofrojnë të dhënat e nevojshme për të finalizuar vlerësimin shkencor të zonës.
AMMK vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të veprimeve institucionale, me synim që shpallja e zonës së mbrojtur “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit” të bëhet në përputhje me standardet ligjore, mjedisore dhe zhvillimore të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se një javë më parë, me propozimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Ministria e MMPHI-së ka marrë vendim për mbrojtjen paraprake të kësaj zone.



