Home / Lajme / Kosova / AKB pas vendimit të Supremes: Dështim profesional dhe institucional i ZRRE-së dhe Qeverisë

AKB pas vendimit të Supremes: Dështim profesional dhe institucional i ZRRE-së dhe Qeverisë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi Udhëzuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë. Sipas AKB-së, ky vendim tregon qartë dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik.

AKB thekson se ZRRE ka vepruar për vite me akte nënligjore të paqëndrueshme dhe jashtë standardeve evropiane, duke mos kryer analiza të ndikimit ekonomik dhe duke shkaktuar pasiguri në treg. “Rregullatori ka prodhuar pasiguri juridike dhe ka cenuar drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve, në vend se t’i mbrojë ato”, thuhet në deklaratën e AKB-së.

Organizata e akuzon gjithashtu ZRRE-në për marrje vendimesh politike dhe jo ekonomike, ndërsa shqetësimet e komunitetit të biznesit janë injoruar vazhdimisht.

Në reagim nuk kursehet as Qeveria, e cila sipas AKB-së mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për lejimin e zbatimit të akteve të paligjshme dhe për mungesën e mbikëqyrjes profesionale. AKB paralajmëron se kjo qasje e rrezikshme dëmton stabilitetin energjetik dhe kredibilitetin e institucioneve të vendit.

Ky reagim shërben si një paralajmërim për nevojën e rishikimit të rregulloreve dhe praktikave në sektorin e energjisë, me qëllim sigurimin e një tregu më të drejtë dhe të besueshëm për bizneset dhe konsumatorët.