Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) po vazhdon takimet me shkollat e vendit, me qëllim që nxënësit të kuptojnë rëndësinë e kursimit të energjisë dhe rolin që secili individ mund të ketë në një të ardhme më të qëndrueshme.
Këtë javë, ekipi i FKEE-së vizitoi SHFMU “Gjergj Fishta”, ku arkitektja me përvojë të gjatë dhe udhëheqëse e projekteve të sektorit rezidencial në FKEE, Drita Shabani, zhvilloi një ligjëratë interaktive me nxënësit.
Shabani ndau përvoja praktike nga projektet e FKEE-së dhe shpjegoi mënyrat e thjeshta në të cilat familjet dhe individët mund të kursejnë energji në shtëpi, duke ndikuar pozitivisht si në mjedis, ashtu edhe në buxhetin familjar. Nxënësit u përfshinë në diskutime dhe drejtuan pyetje rreth teknologjive efiçiente, izolimit termik dhe përdorimit të mençur të energjisë në ambiente të përditshme.
Gjatë vizitës, ajo i inkurajoi nxënësit të marrin pjesë në Konkursin Kombëtar “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”, një garë që u jep hapësirë të rinjve të propozojnë zgjidhje inovative në fushën e efiçiencës së energjisë. Konkursi mbetet i hapur deri më 20 nëntor, duke u dhënë mundësi nxënësve nga e gjithë Kosova të aplikojnë me idetë e tyre kreative.
Me këto vizita, FKEE synon të ndërtojë një kulturë të qëndrueshmërisë te gjeneratat e reja dhe të krijojë një rrjet të të rinjve të vetëdijshëm për energjinë, mjedisin dhe zhvillimin e gjelbër.



