Home / Highlights / Në mbledhjen e fundit ZRRE ka miratuar 76 autorizime të reja për vetë-konsumatorë me kapacitet total 2.6 MW

Në mbledhjen e fundit ZRRE ka miratuar 76 autorizime të reja për vetë-konsumatorë me kapacitet total 2.6 MW

Në seancën e dhjetë për vitin 2025, bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar një numër të lartë të autorizimeve për vetë-konsum të energjisë elektrike nga burimet diellore.

Sipas ZRRE-së, janë aprovuar kërkesat e 30 subjekteve juridike dhe 46 personave fizik, të cilët kanë aplikuar për instalimin e kapaciteteve fotovoltaike për vetë-konsum. Kapaciteti i përgjithshëm i miratuar arrin në 2.6 megavat, duke shënuar një trend të qëndrueshëm të rritjes së investimeve në energjinë diellore në nivel familjar dhe biznesor.

ZRRE thekson se interesi për vetë-konsum vazhdon të rritet, ndërsa ky mekanizëm po shihet si mënyrë efikase për të ulur kostot e energjisë, për të rritur sigurinë energjetike dhe për të kontribuar në tranzicionin energjetik të vendit.

Përveç vetë-konsumatorëve, në të njëjtën seancë Bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar edhe licencimet për furnizim me energji elektrike për “SWIS SOLAR PARK” sh.p.k dhe “SOLAR NEO” sh.p.k, licencën për tregtim të energjisë për “ALFA COMPANY” sh.p.k, si dhe autorizimin për ndërtim të një gjeneratori fotovoltaik për “ERIS SOLAR” sh.p.k.

Ndër vendimet e tjera, Bordi ka vendosur të ri-hapë procedurën e tenderimit për zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, pasi procesi i mëparshëm kishte dështuar. Po ashtu, është bërë miratimi i Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike për vitin 2025.