Emetimet globale të dyoksidit të karbonit (CO2) nga lëndët djegëse fosile pritet të arrijnë një nivel rekord këtë vit, duke u rritur me 1.1 për qind krahasuar me vitin 2024, sipas një studimi të theksuar në Konferencën e 30-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP30) në qytetin e Belemit në Brazil.
Buxheti Global i Karbonit 2025 vlerëson se emetimet e CO2 nga lëndët fosile do të arrijnë në 38.1 miliardë tonë këtë vit, pasi rritja e kërkesës globale për energji vazhdon të tejkalojë zgjerimin e energjisë së rinovueshme, bën të ditur “Xinhua”.
Raporti paralajmëron se qëllimi i ngadalësimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius është i paarritshëm në rrethanat aktuale për shkak të ndryshimeve klimatike.
“Me emetimet e CO2 që ende rriten, mbajtja e ngrohjes globale nën 1.5 gradë Celsius nuk është më e besueshme”, – tha profesor Pierre Friedlingstein i Universitetit të Exeter, i cili udhëhoqi studimin.
Ndërsa është bërë përparim, ai nuk është i mjaftueshëm, thanë studiuesit.
“Përpjekjet për të trajtuar ndryshimet klimatike janë të dukshme, me 35 vende që kanë arritur të ulin emetimet ndërsa rrisin ekonomitë e tyre”, – tha Corinne Le Quere, një profesoreshë nga Universiteti i Anglisë Lindore.



