Rusia dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) diskutuan çështje që lidhen me sigurinë bërthamore dhe fizike në centralin bërthamor të Zaporizhzhia (ZNPP), tha korporata shtetërore bërthamore e Rusisë, “Rosatom”.
Gjatë konsultimeve në Kaliningrad, delegacionet nga të dyja palët u përqendruan në përpjekjet për të rivendosur furnizimin me energji të jashtme të centralit pas riparimeve në dy linja transmetimi me tension të lartë të përfunduara në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, shkruan “Xinhua”.
Drejtori i Përgjithshëm i “Rosatom”, Alexei Likhachev, informoi shefin e IAEA-s, Rafael Grossi, mbi gjendjen aktuale të centralit dhe masat e marra për të siguruar funksionimin e tij të sigurt, ndërsa të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë kontaktet, sipas deklaratës.
ZNPP humbi lidhjen me rrjetin më 23 shtator për herë të 10-të që nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, pasi linja e fundit e energjisë prej 750 kilovoltësh u ndërpre. Që atëherë, termocentrali është furnizuar me energji nga gjeneratorë rezervë me naftë.



