Lidhja e Bizneseve të Kosovës përmes një komunikate për media ka potencuar se Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar qartë: liberalizimi i detyruar i tregut të energjisë ka qenë i paligjshëm.
Sipas LBK-së ky vendim mbron prodhuesit, bizneset dhe qytetarët nga një proces i padrejtë dhe i paqëndrueshëm, i cili u ka shkaktuar kosto të panevojshme dhe presion të padrejtë financiar.
Udhëzuesi i ZRRE-së është shpallur i kundërligjshëm sepse është hartuar pa analiza profesionale, jashtë standardeve evropiane, me kritere të interpretuara gabim dhe me pasoja të rënda për ekonominë.
Shumë kompani u detyruan të kalonin në tregun e lirë dhe të nënshkruanin kontrata me çmime deri 200% më të larta, pa asnjë bazë ligjore.
Në vend që të mbrojë interesin publik, rregullatori ka prodhuar pasiguri juridike, ka cenuar të drejtat e konsumatorëve dhe ka futur sektorin e energjisë në kaos.
Edhe Qeveria mban përgjegjësi, pasi ka lejuar zbatimin e akteve të paligjshme dhe ka dështuar të mbikëqyrë procesin më kritik për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ky vendim është fitore për ligjshmërinë dhe sigurinë ekonomike.Është fitore për:Prodhuesit, të cilët u rrezikuan nga kostot e larta të energjisë; Bizneset, që u detyruan në kontrata të padrejta; Qytetarët, që përballen me zinxhirin e rritjes së çmimeve si pasojë e politikave të gabuara” thuhet në njoftimin e LBK-së raporton “Gazeta Blic”.
LBK kërkon përgjegjësi, rishikim rrënjësor të politikave energjetike dhe përfshirje të detyrueshme të komunitetit të biznesit në çdo vendim rregullator.
Kosova nuk mund të zhvillohet me institucione që gabojnë në dokumentet themelore ligjore dhe pastaj korrigjohen nga gjykatat.



