Home / Lajme / Efiçiencë / FKEE anëtar i Global ESCO Network: Kosovë me hap drejt standardeve globale të efiçiencës së energjisë

FKEE anëtar i Global ESCO Network: Kosovë me hap drejt standardeve globale të efiçiencës së energjisë

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) është pranuar si anëtari më i ri i Global ESCO Network, një rrjet ndërkombëtar i mbështetur nga UNEP Copenhagen Climate Centre dhe Efficiency Valuation Organisation.

Ky është një zhvillim me rëndësi të madhe për sektorin e energjisë në Kosovë, duke e pozicionuar vendin në një platformë globale ku formësohen politikat dhe praktikat më të avancuara të efiçiencës energjetike.

Global ESCO Network bashkon asociacione, institucione dhe ekspertë të shërbimeve energjetike nga e gjithë bota, me qëllim promovimin e efiçiencës së energjisë si një mjet thelbësor për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Parisit. Anëtarësimi i FKEE-së në këtë rrjet i hap rrugë bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit të përvojave dhe qasjes në modelet më inovative të financimit të projekteve të tranzicionit energjetik.

Ky hap pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për Kosovën, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve vendore, rritjen e transparencës dhe efektivitetit të investimeve energjetike, si dhe orientimin e vendit drejt standardeve të njohura ndërkombëtarisht në sektorin e efiçiencës së energjisë. Përmes platformës globale, FKEE do të kontribuojë gjithashtu në diskutimet mbi rolin e ESCO-ve në zhvillimin e tregjeve të qëndrueshme të energjisë, si dhe në promovimin e efiçiencës si një investim të leverdishëm dhe afatgjatë.

Anëtarësimi në Global ESCO Network e konfirmon rolin e FKEE-së si një aktor serioz dhe strategjik në tranzicionin energjetik të vendit, duke e afruar Kosovën me praktikat dhe standardet e vendeve me traditë të avancuar në këtë fushë.