Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri ka miratuar një udhëzim të ri që ndryshon mënyrën se si pasqyrohet konsumi i energjisë elektrike në faturën mujore për të gjithë konsumatorët. Dokumenti synon rritjen e transparencës, ndarjen e qartë të kategorive të konsumit dhe garancinë që çdo klient të faturohet sipas çmimit të duhur, në përputhje me tarifat e miratuara. Për herë të parë, fatura e energjisë standardizohet në mënyrë të detajuar për të gjitha kategoritë, nga konsumatorët familjarë e deri te vetëprodhuesit dhe stacionet e karikimit të automjeteve elektrike.
Udhëzimi detyron të gjithë furnizuesit, si në tregun universal ashtu edhe në tregun e lirë, si dhe operatorin e shpërndarjes, që të reflektojnë konsumin sipas kategorive tarifore të përcaktuara nga ERE. Çdo faturë duhet të përmbajë seksionin “Kategoria e konsumatorit sipas kontratës”, duke garantuar që klienti të kuptojë saktësisht se në cilin grup tarifor bën pjesë dhe cilat çmime aplikohen. Përveç kategorive tradicionale, si familjarë dhe jofamiljarë të lidhur në 0.4 kV, udhëzimi përfshin edhe kategori të veçanta si konsumi i pikave të karikimit të automjeteve elektrike, vetëprodhuesit me panele fotovoltaike, objektet e kultit, furrat e bukës apo ujësjellës-kanalizimet në nivele tensioni 35 kV/20/10/6 kV.
Një ndër elementet më të rëndësishme është ndarja e konsumit familjar nga çdo lloj konsumi tjetër, sidomos kur konsumatori ka instalime shtesë, si p.sh. stacione karikimi. Në rastet kur një automjet elektrik karikohet në një pikë mbi 11 kW të lidhur në nivelin 0.4 kV, sasia e energjisë për karikim duhet të matet me një matës të pavarur dhe të reflektohet në faturë në rubrikën e dedikuar “Konsum për karikim automjeti elektrik (EV)”. Furnizuesit detyrohen të shënojnë edhe fuqinë e instaluar të stacionit, duke përcaktuar qartë nëse klienti hyn në kategorinë mbi 11 kW. Ky standardizim është i rëndësishëm për rregullimin e tregut të karikimit të automjeteve elektrike, që po rritet me ritme të shpejta në vend.
Po aq të rëndësishme janë edhe rregullat për vetëprodhuesit. Fatura mujore duhet të përmbajë dy rubrika të veçanta, njëra për energjinë e prodhuar nga panelet fotovoltaike dhe tjetra për energjinë e marrë nga rrjeti. Faturimi neto do të llogaritet sipas metodologjisë së miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa furnizuesi duhet të garantojë që të gjitha të dhënat të jenë të qarta, të lexueshme dhe të plota. Ky është një hap i rëndësishëm drejt disiplinimit të tregut të vetëprodhimit dhe shmangies së konfuzionit që deri më sot ka shkaktuar shpesh mosqartësi për konsumatorët që prodhojnë energji për vetëkonsum.
Udhëzimi ngarkon furnizuesit dhe operatorët me detyrime të reja administrative. Furnizuesit duhet të përditësojnë sistemet e faturimit elektronik dhe të raportojnë çdo tre muaj pranë ERE listën e konsumatorëve që kanë instalime të karikimit të automjeteve elektrike ose kapacitete vetëprodhimi. Nga ana tjetër, OSSH dhe OST janë të detyruar të verifikojnë instalimet matëse, të garantojnë saktësinë metrologjike dhe të raportojnë periodikisht mbi sasinë e energjisë së shpërndarë për çdo kategori tarifore, përfshirë ngarkesën e instaluar dhe shpërndarjen gjeografike.
Dokumenti sjell zgjidhje edhe për konsumatorët ekzistues që kanë pika karikimi të automjeteve elektrike, por nuk kanë kontratë të dedikuar furnizimi. Në këto raste, Furnizuesi Universal duhet të gjenerojë një kontratë të re pa kosto shtesë për konsumatorin, duke e përfshirë në sistemin korrekt të matjes dhe faturimit. Për të gjithë konsumatorët që aplikojnë për pika të reja karikimi mbi 11 kW, lidhja e një kontrate të re bëhet e detyrueshme.
Kontrolli i zbatimit të këtij udhëzimi do të kryhet nga ERE, që do të njoftojë rregullisht Agjencinë për Eficiencën e Energjisë për të gjitha gjetjet, ndërsa shkeljet do të penalizohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Mungesa e identifikimit të kategorisë së konsumatorit në faturë konsiderohet shkelje dhe furnizuesit do të përballen me masa administrative.
Udhëzimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit nga Bordi i Komisionerëve të ERE-s dhe pritet të standardizojë njëherë e mirë mënyrën e faturimit të energjisë për një treg në transformim, ku teknologjitë e reja, vetëprodhimi dhe automjetet elektrike po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe.
/ekofin.al



