Abdel Fattah El Sisi dhe Vladimir Putin marrin pjesë nëpërmjet videolidhjes në ceremoninë për të shënuar instalimin e enës së reaktorit për Centralin Bërthamor në El-Dabaa të Egjiptit.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah El Sisi e quajti ndërtimin e centralit të parë bërthamor të vendit “një ëndërr që më në fund u bë realitet”, transmeton Anadolu.
Ai mori pjesë së bashku me presidentin rus Vladimir Putin në një ceremoni përmes videolidhjes për vendosjen e enës së reaktorit për Centralin Bërthamor të El-Dabaas në Egjipt, së bashku me kreun e IAEA-s, Rafael Grossi.
Në fjalimin e tij, Putin tha se Rusia vlerëson vëmendjen që i kushton lideri egjiptian mbështetjes së këtij projekti.
“Ne vlerësojmë vëmendjen e vazhdueshme që i kushtoni jo vetëm projektit tonë në fushën e energjisë atomike paqësore, por edhe zgjerimit të kontakteve të ndryshme me Rusinë”, tha ai.
Putin shtoi se ndërtimi i Centralit Bërthamor të El-Dabaas ka hyrë në një fazë vendimtare dhe se gjenerimi i energjisë elektrike do të fillojë në të ardhmen e afërt.
“Me pjesëmarrjen e Rusisë, ndërtimi i centralit të parë bërthamor të Egjiptit po ecën me sukses. Ne po kalojmë në një fazë kyç të pajisjeve teknologjike për objektin, dhe së shpejti ai do të jetë në gjendje të fillojë prodhimin e energjisë elektrike të kërkuar nga ekonomia në rritje e Egjiptit”, tha ai.
Nga ana e tij, Sisi falënderoi Rusinë për pjesëmarrjen në ndërtimin e centralit, duke shtuar se ai do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të lehtësojë kostot e energjisë për qytetarët.
Ai e përshkroi ndërtimin e centralit si “një ëndërr që më në fund u bë realitet” dhe theksoi se kjo shënon kapitullin e parë në historinë moderne bërthamore të Egjiptit.
“Ky është një hap transformues për të ardhmen energjetike të Egjiptit”, tha ai.
Sisi gjithashtu theksoi rolin në rritje të Egjiptit në sektorin global të energjisë, duke vënë në dukje se energjia bërthamore do t’i ndihmojë vendit të forcojë pozicionin e tij në këtë drejtim.
Ndërtimi i centralit bërthamor po realizohet nën një marrëveshje ndërqeveritare të nënshkruar midis Rusisë dhe Egjiptit në vitin 2015. Projekti po zbatohet nga korporata shtetërore ruse Rosatom. Planifikohet që centrali të përbëhet nga katër njësi me një kapacitet total prej 4.800 megavatësh.
Ena e reaktorit të njësisë energjetike është “zemra” e centralit. Ajo është një komponent kritik i montimit të reaktorit, duke strehuar zonën e bërthamës ku ndodhin reaksionet bërthamore të kontrolluara. Siguron vulosje hermetike, përballon presionin dhe temperaturat e larta dhe garanton sigurinë dhe besueshmërinë e njësisë energjetike.



