Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Fillon diskutimi publik për projektligjin e ri për efiçencën energjetike

Shqipëri: Fillon diskutimi publik për projektligjin e ri për efiçencën energjetike

Qeveria shqiptare ka iniciuar Projektligjin e ri “Për Efiçencën Energjetike”, një hap strategjik që synon të vendosë efiçencën në krye të të gjithë sektorëve, duke shënuar një përparësi në kuadër të ambicieve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër.

Ky projektligj, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe që është hedhur të enjten për konsultim publik, shfuqizon ligjin ekzistues dhe bazohet pjesërisht në Direktivën Evropiane.

Objektivi kryesor, kursim energjie dhe rritje e konkurrueshmërisë

Qëllimi kryesor i projektligjit është të krijojë një kuadër masash për të promovuar efiçencën energjetike, duke sjellë përdorim racional të burimeve.

Objektivat e tij kyçe janë vendosja e efiçencës energjetike si prioritet në të gjithë sektorët; përcaktimi i objektivave kombëtare për kursimin e energjisë, duke rritur sigurinë e furnizimit; rritja e konkurrueshmërisë së operatorëve ekonomikë; lehtësimi i furnizimit, transmetimit, ruajtjes dhe përdorimit të energjisë në treg.

Masa nga sektori publik te konsumatori

Projektligji prezanton një sërë detyrimesh dhe mekanizmash të rinj, me ndikim nga qeveria deri te konsumatori i fundit, shkruan rtsh.al.

Autoritetet publike detyrohen ta integrojnë këtë parim në planifikim dhe prokurime publike, duke marrë parasysh kostot e ciklit të jetës së produkteve.

“Vendoset një skemë e detyrueshme ku palët si kompanitë e shitjes, operatorët e sistemeve të shpërndarjes dhe konsumatorët e mëdhenj, duhet të arrijnë një kursim vjetor prej të paktën 0.8% të shitjeve të energjisë.“, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Ndërsa konsumatorët e mëdhenj dhe njësitë e qeverisjes vendore detyrohen të punësojnë një Menaxher Energjie për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e përdorimit racional të energjisë.

Nga ana tjetër, bëhen të detyrueshme për konsumatorët e mëdhenj dhe ata që aplikojnë për fonde, të kryera nga auditues të certifikuar.

“Krijohet Fondi Kombëtar për Efiçencën Energjetike, si entitet autonom, për të mbledhur dhe menaxhuar burime financiare për projekte të efiçencës, me fokus tek mbështetja për grupet më të cenueshme. Qendrat me fuqi të madhe duhet të publikojnë informacione mbi efiçencën e tyre duke filluar nga viti 2026.“, thuhet në projektligj.

Sfidat, kosto, koordinim dhe kapacitete

Relacioni pranon se implementimi i ligjit do të përballet me sfida të rëndësishme si kosto e lartë e implementimit.

Theksohet shpenzimi i madh fillestar për modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjive, nevoja për një bashkëpunim të fortë ndërmjet administratës publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile, si dhe nevoja për investime në arsimin dhe trajnimin e burimeve njerëzore për të mbështetur teknologjitë e reja.

Efektet e pritshme

Në aspektin pozitiv, ligji pritet të sjellë reduktimin e kërkesës për energji dhe ulje e varësisë nga importet, ulje e ndotjes, sidomos në qytetet e mëdha, dhe përmirësim i cilësisë së ajrit dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe tërheqje e më shumë financimeve për energjinë e rinovueshme.

Ligji i ri, i cili vjen në kuadër të Programit Kombëtar për Aderimin në BE, kërkon angazhimin e Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Energjisë dhe institucioneve të tjera qendrore dhe vendore.

Ndërsa kostot fillestare do të jenë të konsiderueshme, ato pritet të mbulohen kryesisht nga burimet ekzistuese, donatorët dhe programet e BE-së, pa krijuar kosto shtesë të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit gjatë tre viteve të para.

Ligji i ri parashikon dy detyrime kryesore:

  • Kompanitë e shitjes, operatorët e rrjetit dhe konsumatorët e mëdhenj do të duhet të arrijnë një kursim vjetor energjie prej të paktën 0.8% të shitjeve, duke synuar uljen e varësisë nga importet dhe përmirësimin e bilancit energjetik.
  • Do të ngrihet Fondi Kombëtar për Efiçencën Energjetike, një entitet autonom i dedikuar për mbledhjen dhe menaxhimin e fondeve për projekte të gjelbra, me theks te mbështetja për grupet e cenueshme.

/rtsh.al