Një raport mbi varfërinë energjetike, i përgatitur nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kërkon rritjen e investimeve në eficiencën e energjisë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e banesave, ku humbjet nga mungesa e izolimit dhe pajisjet e vjetra janë ndër më të lartat në rajon.
Sipas raportit, Shqipëria aktualisht nuk ka një përkufizim zyrtar dhe sistem monitorimi për varfërinë energjetike, ndërsa politikat ekzistuese kufizohen vetëm në skemat e kompensimit financiar për familjet në nevojë. Por, sipas raportit kjo qasje është e pamjaftueshme dhe nuk trajton problemet, që lidhen me gjendjen e amortizuar të ndërtesave, mungesën e izolimit termik dhe pajisjeve joeficiente që rrisin ndjeshëm faturat e energjisë.
Raporti vë në dukje se Shqipëria po përgatit një Strategji të Rinovimit të Ndërtesave, e cila parashikon investime mbi 24 mld euro deri në vitin 2050 dhe një fokus të veçantë te familjet me të ardhura të ulëta.
Por ndërkohë që planet janë ambicioze, raporti thekson se në vendin tonë mungon një Fond Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, çka e kufizon ndjeshëm ritmin e investimeve. Financimi aktual vjen kryesisht nga buxheti i shtetit dhe donatorët, si dhe nga skemat e BERZH-it, të cilat u ofrojnë qytetarëve kredi për izolim, panele diellore dhe përmirësime në ngrohje.
Dokumenti sugjeron se vendi duhet të krijojë mekanizma të dedikuar për të financuar rikonstruksionin e banesave të amortizuara, të cilat përbëjnë shumicën e stokut rezidencial dhe janë burim kryesor i faturave të larta të energjisë.



