Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar sesionin e dytë informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër, një program që synon të mbështesë bizneset në investime për energji të pastër dhe rritje të efikasitetit energjetik. Sesioni u organizua në bashkëpunim me KIESA-n dhe agjencinë zhvillimore luksemburgaze LuxDev.
Gjatë takimit, përfaqësues nga bizneset u njoftuan për procesin e aplikimit dhe tri kategoritë kryesore të mbështetjes që ofron skema: instalimin e sistemeve solare dhe baterive për ruajtje të energjisë, zbatimin e masave të efikasitetit në ndërtesa, si dhe pajisje për uljen e konsumit të energjisë në linjat e prodhimit.
Skema e granteve, e financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut me një fond prej 1 milion euro, zbaton mbështetje financiare deri në 20 mijë euro për një masë të vetme dhe deri në 25 mijë euro për masa të kombinuara. Krahas mbështetjes financiare, përfituesve u ofrohet edhe asistencë teknike dhe ngritje kapacitetesh për të siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme.
Pjesëmarrës në sesion ishin përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, KIESA, LuxDev, KOSTT dhe UBT, të cilët theksuan rëndësinë e tranzicionit të sektorit privat drejt energjisë së pastër dhe rolit që këto investime luajnë në uljen e varësisë nga burimet konvencionale.
Aplikimet për skemën e granteve janë të hapura deri më 10 dhjetor 2025 përmes platformës zyrtare të shërbimeve elektronike të shtetit.



