Home / Lajme / Kosova / Shkyçja e ndriçimit publik në Vushtrri, Idrizi: Mungesë e mjeteve për të paguar faturat e energjisë

Shkyçja e ndriçimit publik në Vushtrri, Idrizi: Mungesë e mjeteve për të paguar faturat e energjisë

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, më 24.11.2025 ka njoftuar se Komuna po përballet me shkyçje të ndriçimit publik nga KEDS-i për shkak të mungesës së mjeteve për pagesën e faturave të energjisë.

Ai tha se situata është krijuar pas përmbarimit të mbi 3.5 milionë eurove nga buxheti i vitit 2025 si detyrim për kontratën kolektive, duke e lënë Komunën me më shumë se gjysmën e buxhetit të investimeve kapitale të pakapshëm.

Idrizi ka thënë se kanë thirrur edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake.

“Ne jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për normalizimin e gjendjes. Për këtë arsye kemi thirrur edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake, në mënyrë që një pjesë e tyre të destinohet për pagesën e faturave të energjisë së ndriçimit publik”- thuhet në njoftimin e tij.