Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, versionin e tij rreth kësaj ngjarje e ka rrëfyer Granit Beqiraj, i cili deklaroi se në KEK punon që nga viti 2017 dhe se me profesion është ekonomist.
Nagip Krasniqi akuzohet se i ka shkaktuar dëm KEK-ut 3 milionë euro, si shkak i tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” e cila sipas Prokurorisë Speciale nuk ka qenë e licencuar në Kosovë.
Beqiraj është dëshmitar i Prokurorisë Speciale, i cili u pyet nëse është tregtuar energji elektrike me kompaninë Sllovene në vitin 2022 dhe 2023, Holding Slovenska Elektrana, që sipas Prokurorisë nuk ka pasur licencë.
Sipas dëshmitarit, gjatë kësaj periudhe kishin marrë një shkresë nga ZRRE që ka kërkuar raport për tregtim të energjisë elektrike, që sipas tij deri në atë kohë nuk kishin qenë të njoftuara se kanë qenë duke tregtuar energji elektrike me kompani që nuk janë të licencuara, përfshirë këtu edhe HSE.
“Pasi e kemi marrë këtë shkresë, zyra për tarifa e ka dërgu raportin për kompanitë që kanë marrëveshje me KEK-un dhe njëra ndër kompanitë ka qenë edhe HSE, sipas rekomandimit të zyrës për rregullatorë të energjisë,{…} aty e ka cekur se tregtari i energjisë duhet të ketë licencë të lëshuar nga ZRRE apo duke u bazuar në parimin e reciprocitetit që do duhet të ketë njohje të licencës”- tha Beqiraj.
Sipas Beqirajt brenda KEK-ut kishin marrë një njoftim që të vazhdohet operimi ashtu siç kanë qenë duke operuar deri në atë kohë, deri sa të ketë një njoftim të radhës. Rreth këtij njoftimi të ZRRE-së, sipas Beqirajt në dijeni ka qenë edhe kryeshefi ekzekutiv i KEK, Nagip Krasniqi, pasi që ka qenë i përfshirë në (CC) në email.
Dëshmitari tutje rrëfeu se ishte formuar një komision në kuadër të KEK-ut dhe është vendosur që operatorët që nuk i kanë licencat të ju shkëputen kontratat, e sipas dëshmitarit bëhej fjalë për qershorin e vitit 2023.
Dëshmitari ka rrëfyer se si shkonte procedura e shitblerjes së energjisë elektrike në ankand ku ju bëhej thirrja përmes e-mailit të gjitha kompanive, në fund procedura përmbyllet me finalizimin e kontratës ditore për shitblerjen e energjisë elektrike, që sipas dëshmitarit për nënshkrimin e tyre e kishte autorizuar drejtorin operativ, Luigj Imerin.
“Kryeshefi ekzekutiv e ka autorizu drejtorin operativ që mund të vazhdojë me nënshkrimin e kontratave ditore. Drejtrori operativ e ka pasë një autorizim nga kryeshefi ekzekutiv”- tha dëshmitari.
Dëshmitari u pyet nga avokati Virtyt Ibrahimaga që mbron Nagip Krasniqin, nëse përveç njoftimit për ndalim të tregtimit të energjisë, ZRRE a kishte dërguar te KEK-u ndonjë vendim tjetër, sipas dëshmitarit, i cili tha se me sa i kujtohet vendim në formë të shkruar departamenti ku punonte dëshmitari nuk kishte pranuar, vetëm e-mailin njoftues.
Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit Ibrahimaga, tha se sipas legjislacionit të Komitetit të Bashkimit Evropian për Energji, vendet e BE-së nuk i kanë të detyrueshme licencimet në vendet e tjera.
Meqë nuk kishte dëshmitarë të tjerë të planifikuar për seancën e sotme, e njëjta u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet në muajin dhjetor 2025.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Arben Hoti (kryetar) dhe Ngadhnjim Arrni edhe Vesel Ismaili (anëtarë).
Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori special, Dren Paca.
Akuza e Prokurorisë rëndon mbi Krasniqin se i ka shkaktuar dëm KEK-ut mbi 3 milionë euro pasi Zyra për Rregullatorin e Energjisë Elektrike e kishte gjobitur KEK-un me 3.2 milionë euro, si shkak i veprimeve të Krasniqit.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 08.10.2025 i akuzuari Nagip Krasniqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë.
Edhe në shqyrtim gjyqësor në seancën e mbajtur me datë 03.07.2025 Krasniqi kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.
Krasniqi nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka bërë tregti për energji elektrike me një kompani sllovene e cila nuk ishte e licencuar në Kosovë.
Mbi këtë bazë Prokuroria pretendon se KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej mbi 3 milionë euro.
Krasniqi po akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.
Çfarë kishte deklaruar Nagip Krasniqi në Prokurori?
Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO i pandehuri Nagip Krasniqi, në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori më datë 05.07.2024, ka deklaruar se nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023 kishte qenë Kryeshef Ekzekutiv në KEK.
Nagip Krasniqi, gjatë deklarimit në Prokurori kishte thënë se KEK-u kishte tregtuar me të gjitha kompanitë që kishin qenë të licencuara në Kosovë dhe në shtetet që kishin qenë anëtarë të Komunitetit të energjisë të cilat sipas Ligjit për Energji Elektrike nuk kishin nevojë për ri-licencim në Kosovë, duke shtuar se edhe “HSE” dhe kompanitë tjera tregtare ishin anëtare të Federatës Europiane të tregtimit të energjisë elektrike.
“KEK-u që nga viti 2018 kishte kontratë të veçantë për tregtim të energjisë elektrike me “HSE” dhe tregtarët tjerë dhe se “HSE”-ja kishe bërë aderimin e rregullt të tregut në Kosovës tek KOSST” – kishte thënë i akuzuar Nagip Krasniqi në Prokurori.
Sa i përket konfirmimit të blerjeve apo shitjeve të energjisë para nënshkrimit të kontratave individuale EFET, i pandehuri Krasniqi kishte deklaruar se në disa raste e kishte bërë vetë e në disa raste drejtori i operimeve Luigj Imeri dhe se departamenti për tregtim nuk i përgjigjej direkt atij por drejtorisë operative.
“…tregtimi i energjisë ishte bërë jashtë territorit të Kosovës dhe për atë tregtim ZRRE-ja nuk kishte kompetencë, 2.Duke u bazuar në ligjin për energjinë elektrike neni 32 dhe 3, përjashtimi i një operatori ndikonte në rritjen e çmimeve në blerje dhe çmimeve më të ulëta në shitje, që do të dëmtonin interesin e kompanisë dhe do të ngarkonte më shumë fondin e subvencioneve nga Qeveria” – kishte thënë i pandehuri Krasniqi në Prokurori lidhur me vërejtjet e ZRRE-së.
Tutje sipas aktakuzës lidhur me opinionin e zyrës ligjore për vërejtjet e ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit me operatorë të pa licencuar dhe pse nuk kishte marrë për bazë opinionin e tyre, i pandehuri kishte thënë se arsyet kryesore ishin sepse ligji për energjinë elektrike e lejonte dhe e dyta në biseda me sekretariatin e energjisë në Vjenë, interpretimi i tyre verbal kishte qenë që Ligji për Energjinë Elektrike e lejonte diçka të tillë dhe se kompanitë nuk duhet që të pengoheshin në tregtimin e lirshëm të energjisë elektrike.
Ndërsa, sa i përket rekomandimit të ZRRE-së për ndërprerje të tregtimit me HSE-në, Krasniqi kishte deklaruar se rekomandimi nuk ishte obligim dhe se atë rekomandim e kishte konsideruar të kundërligjshëm dhe po të respektohej i njëjti, dëmi do të ishte i pariparueshëm, duke shtuar se “HSE” nuk duhej trajtuar si kompani e pa licencuar pasi ishte kompani shtetërore në Slloveni dhe Sllovenia është anëtare e Komunitetit të Energjisë dhe se me atë kompani nuk kishte asnjë lidhje.
Lidhur me opinionin e zyrës ligjore të datës 07.10.2022 ka thënë se ishte i paqartë dhe ambicioz dhe lidhur me subvencionet e marra nga qeveria ka deklaruar se ato ishin përdorur për mbulimin e furnizimit të shërbimit universal për shkak të pamundësisë së KESCO-s që të bënte ato blerje për shkak të problemeve financiare që i kishte.
Krasniqi po dyshohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023, ditë kjo që përkon edhe me arrestimin e tij.
Sipas një dispozitivi të aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
“…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji” – thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531,920.79 euro.
“…dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531,920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro” – vijon tutje.
Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, më 15.09.2023.
Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.



