Kompania shtetërore e energjisë elektrike Elektrani na Severna Makedonija (ESM) ka njoftuar se planifikon të rinovojë dhe modernizojë hidrocentralet “Globocica” dhe “Spile”, si pjesë e një projekti më të gjerë për rikonstruksionin e gjashtë hidrocentraleve të mëdha në vend, mëson BalkanEngineer.com nga SeeNews. Qëllimi i projektit është rritja e kapacitetit të prodhimit dhe zgjatja e jetës operative të impianteve deri në 30 vjet.
Sipas drejtorit ekzekutiv të ESM, Lazo Uzuncevi, implementimi i projektit pritet të nisë deri në fund të vitit. Modernizimi parashikohet të shtojë rreth 50 GWh energji ujore në vit – një sasi që do të forcojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike të vendit. Rehabilitimi përfshin zëvendësimin e pajisjeve të vjetruara dhe të gjithë aparaturave elektrike, përfshirë transformatorë të rinj për hidrocentralin “Spile”, siç është parashikuar në fazën e tretë të projektit teknik.
Projekti mbështetet financiarisht nga programi WBIF (Western Balkans Investment Framework). Për gjashtë hidrocentralet, përfshirë “Globocica” dhe “Spile”, janë siguruar 36.2 milionë euro në formë grantësh dhe huash, çka do të mundësojë rritjen e kapacitetit me 13.5 MW shtesë.
Pritet që hidrocentralet e rinovuara të funksionojnë më gjatë dhe më efikas, duke reduktuar ndjeshëm ndërprerjet e paplanifikuara dhe kostot e mirëmbajtjes pas përfundimit të punimeve.



