Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale energjetike në Kosovë, duke kritikuar qeverisjen e vendit për, siç thotë ajo, varësinë e pandalshme nga importi i rrymës. Sipas Ymerit, mjafton një vështrim i të dhënave ditore të prodhimit dhe ngarkesës për të kuptuar se Kosova sot nuk arrin të vetëmbulohet me kapacitetet e saj energjetike.
Ymeri thekson se vendi “nuk e mban dot veten as edhe një ditë pa import”, ndërsa akuzon qeverinë se po e mbështet sistemin energjetik te ajo që ajo e quan “strategjia Vukvendosje”, duke iu referuar biznesmenit serb të energjisë, Vuk Hamoviqit.
Ajo paralajmëron se edhe në ditët e zakonshme të nëntorit 2025, rreziku i ndërprerjeve të rrymës mbetet real, pavarësisht arsyetimeve zyrtare se reduktimet lidhen me punime, investime në KEK apo arsye të tjera teknike. Sipas saj, këto justifikime nuk e fshehin dot faktin se pas pesë viteve qeverisje dhe propagandë për zhvillim, Kosova ende zgjohet dhe fle në import.
Sipas ekspertes, realiteti i sotëm energjetik është dëshmi e mungesës së investimeve strategjike dhe dështimit për të krijuar kapacitete të qëndrueshme prodhuese, duke e lënë vendin më të varur se kurrë nga tregjet e jashtme.



