Home / Lajme / Mjedisi / Në Prizren zhvillohet trajnim për zhvillim të qëndrueshëm dhe planifikim urban gjithëpërfshirës

Në Prizren zhvillohet trajnim për zhvillim të qëndrueshëm dhe planifikim urban gjithëpërfshirës

EC Ma Ndryshe ka organizuar trajnimin “Prizreni i qëndrueshëm: Zhvillimi qarkor, zgjidhjet e bazuara në natyrë dhe planifikimi pjesëmarrës”, në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të lagjeve dhe fshatrave, studentë, gra, të rinj, persona me aftësi të kufizuara, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

Trajnimi synoi forcimin e kapaciteteve të komunitetit për të kuptuar parimet e zhvillimit qarkor, ndikimet e ndryshimeve klimatike në nivel lokal dhe rëndësinë e planifikimit pjesëmarrës në krijimin e hapësirave publike më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Pjesëmarrësit ndoqën pesë sesione tematike që trajtuan ekonominë qarkore dhe ESG, ndikimin e fenomeneve klimatike urbane si përmbytjet dhe valët e të nxehtit, zgjidhjet natyrore dhe gjelbërimin urban, qasjet bashkëkohore të arkitekturës dhe urbanizmit, si edhe ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë arkitekturore të Prizrenit.

Aktiviteti shërbeu si platformë për shkëmbim idesh dhe për nxitjen e ndërgjegjësimit qytetar, me synim që në të ardhmen Prizreni të ketë hapësira publike më të gjelbra, më funksionale dhe më të hapura për të gjithë.

Projekti realizohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Qeverisë Gjermane dhe Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike, përmes GIZ Kosova.