Home / Highlights / Projekti i BE-së për uljen e pluhurit dhe NOx në TC Kosova B hyn në fazën e zbatimit

Projekti i BE-së për uljen e pluhurit dhe NOx në TC Kosova B hyn në fazën e zbatimit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) priti sot një delegacion të nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian në Kosovë, të kryesuar nga Shefi i Seksionit të Bashkëpunimit, Hubert Perr, për një prezantim strategjik mbi projektet kryesore të modernizimit dhe rehabilitimit në Termocentralin Kosova B.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, së bashku me ekipin menaxhues, prezantoi investimet kapitale që Korporata po zhvillon aktualisht, duke vënë theksin te projekti i financuar nga BE “Masat për Uljen e Pluhurit dhe NOx në TC Kosova B”. Ky projekt përfaqëson një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme mjedisore në vend, i cili synon reduktimin e ndjeshëm të emetimeve të grimcave dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Hashani theksoi se KEK ka përfunduar me sukses projektin e dilatimit të kaldajave në njësitë B1 dhe B2 gjatë vitit 2023, duke përmbushur parakushtin teknik thelbësor për nisjen e implementimit të këtij projekti. Ai theksoi se, me këto punime të përfunduara, Korporata është plotësisht e gatshme të hyjë në fazën e zbatimit.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian vlerësuan profesionalizmin dhe gatishmërinë e KEK-ut, duke shprehur kënaqësi të lartë me progresin e prezantuar. Ata konfirmuan se BE në Kosovë po punon drejt një fillimi të suksesshëm të punimeve në prill 2026, çka shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të performancës mjedisore të termocentralit dhe modernizimit të sektorit të energjisë në vend.

Takimi riafirmoi partneritetin e fortë mes KEK-ut dhe Bashkimit Evropian, duke paraqitur një avancim të rëndësishëm drejt prodhimit më të pastër të energjisë, rritjes së besueshmërisë operacionale dhe përafrimit me standardet mjedisore të BE-së për emetimet e pluhurit dhe NOx.