Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Licencohet impianti i dytë i Voltalia’s me kapacitet 90 MW

Shqipëri: Licencohet impianti i dytë i Voltalia’s me kapacitet 90 MW

Në vendimin e datës 17 nëntor, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri njofton se kompania ka përmbushur detyrimet e mbetura dhe për këtë arsye kaloi në miratim.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar licencën për veprimtarinë e prodhimit të energjisë për projektin e dytë fotovoltaik të kompanisë franceze Voltalia në Shqipëri.

Shoqëria “Spitalla Solar” sh.p.k., e cila zhvillon parkun diellor në zonën e Spitallës, ka marrë dritën jeshile pas plotësimit të të gjitha kërkesave të vendosura më herët nga rregullatori.

Licencimi është një kusht i domosdoshëm për çdo kompani që synon të ndërtojë impiante energjetike, së bashku me marrëveshjet me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për lidhjen në rrjet.

Në vendimin e datës 17 nëntor, ERE njofton se kompania ka përmbushur detyrimet e mbetura dhe për këtë arsye kaloi në miratim.

Detyrimet e kompanisë

Sipas vendimit, impianti fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 90 MW.

ERE urdhëron që:

  • “Spitalla Solar duhet të fillojë operimin e centralit brenda datës 31.12.2027”.
  • Brenda 60 ditëve nga fillimi i operimit, kompania duhet të dorëzojë në ERE dokumentacionin e kolaudimit dhe informacion të përditësuar mbi stafin teknik.
  • Gjithashtu, kompania duhet të respektojë një sërë kushtesh të tjera teknike dhe administrative, të cilat rregullatori do t’i monitorojë në vijim.

Projektet e Voltalia-s në Shqipëri

Voltalia hyri në tregun energjetik shqiptar përmes ankandit të parë të qeverisë për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë në vitin 2020, ku ofroi çmimin rekord prej 24.89 euro/MWh.

Nga ky projekt:

  • 70 MW shiten në treg të lirë,
  • 70 MW blihen me çmim të rregulluar për 15 vjet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE).

Për projektin në Spitallë, gara u mbyll me çmimin 29.89 euro/MWh. Parku është i konceptuar për 100 MW, nga të cilat:

  • 70 MW do të blihen nga OSHEE me çmim të paracaktuar,
  • 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Performanca e Karavastasë

Impianti i Karavastasë nisi operimin komercial në fund të vitit 2023, ndërsa viti i parë i plotë operativ ishte 2024-a. Gjatë vitit 2024:

  • prodhoi 258,383 MWh, që përbën 3.2% të prodhimit neto vendas,
  • gjeneroi 35 milionë euro të ardhura,
  • realizoi 20 milionë euro fitim.