Viti 2025 ka rezultuar një nga më të vështirët për sektorin energjetik shqiptar, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrike që kanë goditur fort prodhimin në këtë vend.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se, vetëm në tremujorin e tretë, prodhimi neto i energjisë elektrike në Shqipëri ka rënë me mbi 31 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e detyruar vendin të rrisë ndjeshëm importet.
Rënia e prurjeve në kaskadë ka ndikuar drejtpërdrejt në performancën e hidrocentraleve publike dhe private. Nëse gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024 hidrocentralet shtetërore prodhonin mbi 1.080 GWh, në të njëjtën periudhë të këtij viti prodhimi i tyre ka zbritur në 586 GWh, një tkurrje prej 46 për qind.

Edhe hidrocentralet private dhe koncesionare kanë ndjekur të njëjtin trend negativ, duke regjistruar një rënie prej 39 për qind të prodhimit.
Në këtë bilanc të zymtë, energjia diellore është e vetmja që ka shënuar rritje të fortë. Futja në rrjet e një sërë impiantesh të reja fotovoltaike ka bërë që prodhimi nga kategoria “të tjerë” të ngjitet me rreth 68 për qind krahasuar me një vit më parë.
Madje, për herë të parë, energjia diellore ka zënë afro një të tretën e totalit të prodhimit neto vendas gjatë tremujorit të tretë, duke kompensuar pjesërisht mangësitë e hidrocentraleve.
Megjithatë, rritja e fotovoltaikëve nuk ka qenë e mjaftueshme për të mbuluar hendekun e krijuar. Shqipëria është detyruar të rrisë importet e energjisë, të cilat në tremujorin e tretë kanë arritur 1.260 GWh, kundrejt 762 GWh të një viti më parë.
Me një rritje prej 65 për qind, ky është një nga nivelët më të larta të importeve në vitet e fundit. Ndërkohë, eksportet kanë shënuar gjithashtu rritje të lehtë, por jo në përmasa që të ndryshojnë balancën e përgjithshme, e cila rezulton negative në masën –948 GWh.
Në anën tjetër, humbjet në rrjet kanë vijuar të bien, duke zbritur në 323 GWh, në krahasim me 344 GWh në vitin 2024. Si rezultat, pesha e tyre në totalin e energjisë elektrike në dispozicion është ulur në 16 për qind, një tregues i përmirësimit gradual në eficiencën e sistemit.
Konsumi i energjisë elektrike ka mbetur pothuajse i pandryshuar, me një rënie minimale prej 0,1 për qind. Interesante është se kjo lëvizje ka ardhur kryesisht nga bizneset, të cilat kanë ulur konsumin me 0,3 për qind – një sinjal i mundshëm i kursimeve, vështirësive ekonomike ose optimizimit të proceseve.
Konsumi familjar, në të kundërt, ka shënuar një rritje të lehtë prej 0,1 për qind, duke ruajtur trendin e përdorimit stabël nga konsumatorët e zakonshëm.
Të gjitha këto zhvillime e bëjnë të qartë se viti 2025 ka qenë një provë e vështirë për sektorin energjetik vendas. Ndërsa prodhimi hidro ka rënë ndjeshëm, energjia diellore po merr gjithnjë e më shumë peshë në sistem, duke i dhënë një dimension të ri tranzicionit të energjisë në vend.
Sfida kryesore mbetet balancimi i sistemit në situata të pafavorshme hidrike dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së furnizimit, në një kohë kur varësia nga importet mbetet e lartë.



