UNICEF Kosova dhe organizata TOKA kanë nisur një program të ri edukues që synon rritjen e ndërgjegjësimit për efiçiencën e energjisë te nxënësit në komunat e Kosovës. Aktivitetet e para të projektit janë zhvilluar në shkollën “Ali Ajeti” në fshatin Lladovc të Podujevës, ku nxënësit morën pjesë në një sesion informues të dedikuar për konceptet bazë të kursimit dhe përdorimit të përgjegjshëm të energjisë.
Gjatë prezantimit, përfaqësues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë shpjeguan mënyrat praktike se si konsumatorët mund të reduktojnë harxhimin e energjisë në shkolla, në shtëpi dhe në komunitet, duke theksuar rolin e edukimit të hershëm në ndërtimin e zakoneve të qëndrueshme.
Nxënësit u angazhuan përmes diskutimeve dhe pyetjeve, duke u njohur më në detaje me mënyrat se si mund të kontribuojnë vetë në kursimin e energjisë. Sipas organizatorëve, ky është vetëm hapi i parë i një programi më të gjerë që do të shtrihet në shkolla të tjera në vend.
Projekti financohet nga UNICEF Kosova dhe implementohet nga organizata TOKA, ndërsa synon ngritjen e kapaciteteve të të rinjve dhe komuniteteve lokale në fushën e efiçiencës së energjisë, në përputhje me objektivat kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm.



