EC Ma Ndryshe ka zhvilluar një sesion ndërveprues me nxënësit e shkollës “Emin Duraku” në Prizren, si pjesë e aktiviteteve të saj për ndërgjegjësim dhe edukim rreth biodiversitetit dhe adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike. Qëllimi i aktivitetit ishte të afrojë të rinjtë me temat kyçe të mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me punën dhe përgjegjësitë e KRU “Hidroregjioni Jugor”, institucion që siguron ujë të pijshëm për qytetin e Prizrenit. Punonjës të kompanisë prezantuan projektin “Rëndësia, Menaxhimi dhe Mbrojtja e Ujit në Qytetin e Prizrenit”, duke theksuar sfidat aktuale dhe rëndësinë e ruajtjes së burimeve ujore në kohën e ndryshimeve klimatike.
Diskutimet e hapura me nxënësit trajtuan tema që prekin drejtpërdrejt jetën e komunitetit: menaxhimin e ujërave, mbrojtjen e biodiversitetit, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe domosdoshmërinë e rritjes së vetëdijes te brezat e rinj. Përmes pyetjeve dhe interaksionit aktiv, nxënësit shfaqën interes të lartë për mënyrat se si mund të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
Aktiviteti synon jo vetëm edukimin mjedisor, por edhe përfshirjen e të rinjve në procese që ndërlidhen me të ardhmen e komunitetit të tyre. Iniciativa u realizua me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe Community Development Fund – CDF, në bashkëpunim me organizatat 7Arte, Balkan Green Foundation dhe Rilindja Gjelbër.



