Ligji nr. 116, miratuar më 5 prill 2013 në prag të ndërrimit të pushtetit, i garantonte Shqipërisë të paktën 250 milionë metër kub gaz në vit nga gazsjellësi TAP, me mundësi për të përfituar edhe sasi më të mëdha. Megjithatë, më shumë se një dekadë më vonë, vendi nuk ka as gaz në rrjet, as një strategji të qartë për gazifikimin e territorit. Kjo ishte edhe tema e diskutimit në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, ku i ftuar ishte ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello.
Bello deklaroi se, ndonëse kuadri ligjor është i plotë dhe marrëveshjet janë të ratifikuara, Shqipëria nuk ka marrë asnjë metër kub gaz nga TAP. Ai rikujtoi se rrjeti i brendshëm i gazit, i ndërtuar para viteve ’90, është sot pothuajse i shkatërruar, i shitur për skrap ose jashtë funksionit, duke e bërë të pamundur përdorimin e gazit natyror. Në intervistë u risoll gjithashtu në vëmendje edhe çështja e privatizimit të katër hidrocentraleve që dikur konsideroheshin pjesë e sigurisë energjetike të vendit, të cilat, sipas tij, nuk i shërbejnë më sistemit energjetik.
Pjesa më e debatueshme e rrëfimit të Bellos lidhet me negociatat për TAP dhe humbjet financiare që, sipas tij, Shqipëria pëson çdo vit. Ai shpjegoi se vendi humbet rreth 90 milionë dollarë në vit nga mosmarrja e tarifës së tranzitit, një e drejtë që në vendet jo anëtare të BE-së konsiderohet standarde. Sipas tij, Shqipëria kishte fituar një avantazh të rëndësishëm në vitin 2005, kur arriti të bindte partnerët ndërkombëtarë dhe Greqinë që gjurma e gazsjellësit të kalonte nga territori shqiptar, duke sjellë kursime prej rreth 2 miliardë eurosh dhe duke i dhënë vendit një rol gjeopolitik të rëndësishëm.
Por rikthesa ndodhi në vitin 2013, kur u nënshkrua një marrëveshje që, sipas Bellos, e lidhi fatin e Shqipërisë me atë të Greqisë. Ai tha se ligji i asaj kohe parashikon që Shqipëria mund të përfitojë të ardhura nga tranziti vetëm nëse Greqia i përfiton ato. Ndërkohë që Greqia, si vend anëtar i BE-së, nuk merr tarifë tranziti sipas rregullave evropiane, Shqipëria humbi automatikisht të drejtën që do t’i siguronte të ardhura vjetore të konsiderueshme.
Në intervistë u përmend edhe një problem tjetër: shkatërrimi i kapaciteteve të brendshme që mund të përdoreshin me gaz. Bello përmendi çmontimin e TEC-it të Fierit dhe shkatërrimin e Azotikut, investime që sipas tij mund të ishin rivënë në funksion nëse vendi do të kishte përfituar gaz nga TAP. Këto pasoja e kanë kthyer Shqipërinë, thekson ai, në një vend ku “tubi kalon, por gaz nuk ka”, duke e lënë vendin pa përfitime financiare dhe pa leverdi energjetike në një kohë kur krizat globale e bëjnë sigurinë energjetike një çështje kritike.
Ndërsa ligji është ende në fuqi dhe detyrimet janë të shkruara, zbatimi i tij ka mbetur pezull. Ekspertët kërkojnë transparencë mbi negociatat e vitit 2013, si dhe hartimin e një strategjie të re të gazifikimit që t’i rikthejë Shqipërisë të drejtat dhe mundësitë që, sipas tyre, janë humbur për shkak të vendimeve të gabuara. Shqipëria sot nuk përfiton gaz nga TAP, nuk përfiton të ardhura tranziti dhe nuk ka kapacitete të përgatitura për ta shfrytëzuar gazin, ndërsa siguria energjetike mbetet e brishtë.
Në një kohë kur Evropa përballet me pasiguri, rritje çmimesh dhe kërkesë për diversifikim burimesh, ky boshllëk mes ligjit dhe realitetit mbetet pyetja më e madhe pa përgjigje në sektorin energjetik shqiptar.



