Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka hedhur akuza të forta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti ka penguar sistematikisht projektet energjetike të vendit që nga themelimi i saj.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Vetëvendosje prej ditës së parë si parti politike, në mënyrë aktive dhe shpeshherë edhe me dhunë, ka sabotuar çdo iniciativë të institucioneve të Republikës së Kosovës për të ndërtuar kapacitetet tona energjetike.
Ajo përmendi disa projekte të rëndësishme, përfshirë Termocentralin “Kosova e Re” dhe projektin amerikan të gazpërçuesit.
“Nga Termocentrali Kosova e Re e deri tek projekti amerikan i gazpërçuesit, VV ka kundërshtuar dhe bllokuar çdo përpjekje për zhvillim,” u shpreh ajo.
Sipas Çitakut, pasojat e këtyre vendimeve janë ndjerë drejtpërdrejt te qytetarët dhe bizneset.
“Ata e bllokuan Kosovën, i rënduan familjet dhe prodhuesit vendorë me çmime të papërballueshme dhe pasuruan mafien energjetike,” deklaroi ajo, duke shtuar se rastet e fundit të përfolura në sektorin energjetik janë vetëm sipërfaqja e një problemi më të thellë.
“Nagipi e Martini janë vetëm maja e ajsbergut, rrënjët duken shumë më të thella”, ka shkruar Çitaku.
Çitaku e cilësoi pavarësinë energjetike si një çështje të sigurisë kombëtare dhe kërkoi ndryshim politik në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Sot, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike. Është çështje e sigurisë kombëtare. Më 28 dhjetor kësaj mendësie i vjen fundi. Ata po e shohin, prandaj janë në panik,” përfundoi ajo. /Telegrafi



