Home / Lajme / Kosova / “Hajni e pastër”, Azemi i LDK-së kërkon që EFT të futet në listë të zezë

“Hajni e pastër”, Azemi i LDK-së kërkon që EFT të futet në listë të zezë

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, ka kërkuar futjen në listë të zezë të kompanisë energjetike të Vuk Hamoviqit, EFT.

“Sanksione e jo transaksione për Vuk Hamoviqat! EFT e Vuk Hamoviqit, djalit të një gjenerali që ka luftuar kundër shqiptarëve, duhet të sanksionohet dhe të futet në listë të zezë”, ka thënë Azemi përmes një postimi në Facebook.

Anëtari i kryesisë së LDK-së e ka cilësuar si hajni të pastër importin e energjisë elektrike përmes kompanisë së djalit të ish-gjeneralit serb që luftoi kundër shqiptarëve.

Sipas Azemit është padrejtësi ndaj familjeve të dëshmorëve që të importohet energji elektrike përmes kompanisë EFT.

“Djem e vajza të Kosovës u flijuan që sot Kosova të mos i përkulet askujt. Prandaj, pyetja që po i dhemb secilit shqiptar është: Si ka mundësi që paratë e qytetarëve tanë përfundojnë tek EFT e Vuk Hamoviqit, djali i një gjenerali që luftoi kundër nesh? Kjo është hajni e pastër e këtyre që i kanë kapë institucionet e shtetin. Është padrejtësi ndaj atyre që nuk janë më, ndaj familjeve që humbën gjithçka, ndaj çdo shqiptari që e di se liria nuk ka çmim”, thuhet në postimin e Azemit.