Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian alarmohet se cilësia e ajrit në Kosovë nuk ka shënuar përmirësim gjatë vitit të fundit. Se nuk është përmirësuar aspak cilësia e ajrit në Kosovë, krahasuar me periudhat kohore të përfshira në Raportin e Komisionit Europian, dëshmon dita e sotme (e martë, 2 nëntor 2025), e përfshirë nën tisin e mjegullës së dendur, kur është bërë thuajse e zakonshme shfaqja reale e përmasave të frikshme të ndotjes së ambientit në Kosovë.
Në Raportin e fundit të Komisionit Europian për Kosovën, saktësisht janë paraqitur përmasat alarmuese të rritura të ndotjes së ambientit në Kosovë nëpërmjet helmeve që përditë dërgojnë në ajër tymtarët e termocentraleve të KEK-ut. Në këtë Raport saktësohet se “për afro 26 për qind është rritur emetimi i dyoksidit të squfurit, i oksideve të azotit dhe i pluhurit në ajër gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë”. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, të përfshira në Raport, niveli i dyoksidit të squfurit është rritur nga 10.495 tonë më 2023 në 11 mijë e 713 tonë më 2024. Ai i oksideve të azotit, nga 11 mijë e 384 tonë sa ka qenë më 2023 në 16 mijë e 851 tonë më 2024 e i pluhurit nga 4 mijë e 742 tonë në 5 mijë e 606 tonë.
Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian alarmohet gjithashtu se cilësia e ajrit në Kosovë nuk ka shënuar përmirësim gjatë vitit të fundit. Se nuk është përmirësuar aspak cilësia e ajrit në Kosovë, krahasuar me periudhat kohore të përfshira në Raportin e Komisionit Europian, dëshmon dita e sotme (e martë, 2 nëntor 2025), e përfshirë nën tisin e mjegullës së dendur, kur është bërë thuajse e zakonshme shfaqja reale e përmasave të frikshme të ndotjes së ambientit në Kosovë.
Pas paraqitjeve të pamjeve trishtuese mbi qiellin e Obiliqit dhe vendbanimeve përreth nga retë e pandalshme të pluhurit dhe tymit dhe ankesave të zëshme të shumë e shumë qytetarëve të këtyre anëve për ndotjen e madhe dhe përtej çdo norme të lejuar nga termocentralet Kosova B gjatë ditëve, javëve dhe muajve të verës, tani me arritjen e të ftohtit dhe bashkë me të të mjegullës së dendur, rishfaqen pamjet e zymta të krijuara nga grimcat e helmuara të “vjella” nga oxhakët e termocentraleve. Rishfaqja e mjegullës rikthen paksa vëmendjen shoqërore (jo edhe institucionale) për përmasat e ndotjes dhe për pak kohë dhe pak momente, rikthehet edhe vëmendja kah problemi i kahmotshëm i madh dhe pasojat edhe për shëndetin e njerëzve edhe për bimësinë dhe tokat përreth termocentraleve të stërvjetruara të Kosovës.
Pos Ambasadës së SHBA-ve tani janë edhe disa asociacione vendore dhe ndërkombëtare që matjet e ndotjes së ambientit në republikën tonë i bëjnë më shumë publike, duke njoftuar me të dhëna konkrete përmasat shqetësuese të ndotjes së ambientit. Tani janë më të shumta edhe ankesat e qytetarëve të Obiliqit drejtuar Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për ndotje enorme të ajrit, për moskujdesin e KEK-ut për ta zbutur sado pak problemin e ndotjes, që sipas njerëzve të fshatrave të Obiliqit, ndotja e tejdukshme enorme dhe përtej çdo parametri të lejuar ka filluar, sidomos nga gushti i sivjetshëm, prej kur janë duke u përballur me sasi të shtuar të tymit dhe të pluhurit. Prej këtij muaji, sipas banorëve, filtrat, edhe ashtu të vjetër, me ditë e javë janë shkëputur gjatë natës në termocentralin Kosova B, dhe në këtë mënyrë pastaj, ajri mbushet me grimca hiri dhe tymi të dendur, duke arritur kështu në nivel dhe në përmasa të padurueshme.
Shqetësime për tejkalimin e parametrave të lejuar të ndotjes kanë shprehur edhe zyrtarët e Komunës së Obiliqit. “Ne e kemi monitoruar nga 20 gushti deri më tash, nuk ka ndryshime, ndotja është e lartë ndërsa në këto dy ditët e fundit është e njëjta situatë edhe në ‘Kosovën A’. Jemi shumë të shqetësuar si komunë për banorët dhe qytetarët tanë që jetojnë aty”, ka theksuar për median një zyrtar komunal.
Me këtë rast po e përkujtojmë se problemi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës nga oxhaqet e termocentraleve të Kosovës (edhe nga Kosova B edhe nga Kosova A) ekziston që moti, herë më i madh, herë më i vogël dhe pasojat e kësaj ndotjeje janë evidente te shëndeti i popullsisë së fshatrave nën dhe përreth termocentraleve. Dihet tashmë edhe për sëmundjet kronike te shumë banorë të fituara nga ndotja, por edhe rastet jo të pakta të kancerit ndër banorët e këtyre vendbanimeve. Dhe deri tash asnjëherë nuk është bërë ndonjë zgjidhje fatlume dhe afatgjatë. Ka pasur iniciativa, ide dhe projekte për të vendosur elektrofiltra të rinj në termocentralet e stërvjetruara të Kosovës, por asnjëherë nuk është bërë një zgjidhje përfundimtare.
Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet me ambient të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve të energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe të ndotësve të tjerë siç janë numri i madh i automjeteve të stërvjetruara në qarkullim, mbushja e tokës së Kosovës me produkte të plastikës dhe prerja e egër dhe pa kontroll e maleve të vendit. Ndotjes dhe degradimit në përmasa goxha alarmuese në Kosovë, pos emetimeve nga termokapacitetet e energjisë elektrike, i kontribuojnë edhe pakujdesia e publikut me shkarkimet, hedhjet e mbeturinave, por edhe neglizhenca e kahmotshme dhe e përvitshme e autoriteteve dhe zyrtarëve për të monitoruar në vazhdimësi dhe përditë përqendrimin e ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ambientit.
Ca të dhëna, të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca shifra sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes në shëndetin e kosovarëve.
Në një raport të vitit 2019 të Bankës Botërore thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas. Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e çark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.
Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara.
Këto të dhëna duhet të alarmojnë para së gjithash shtetin, zyrtarët dhe autoritetet publike, të cilët duhet të kenë një pozicionim strategjik përballë rreziqeve që sjellin ndotja e mjedisit dhe degradimi i tokave dhe pyjeve të Kosovës. Me fjalë të tjera, autoritetet publike dhe private kosovare duhet më në fund t’i thonë stop një herë e mirë gatishmërisë së papërfillshme për të mbrojtur natyrën, ambientin, pyjet dhe ujërat e vendit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, në radhë të parë, por edhe të stopimit të humbjes së mëtutjeshme të habitateve dhe specieve në shumë zona të biodiversitetit në të gjithë Kosovën si pasojë e degradimit të vazhdueshëm të natyrës.
Duhen veprime konkrete dhe më pak retorikë shterpe në mbrojtje të mjedisit, ajrit, ujërave dhe tokës e pyjeve të Kosovës. Dhe opinioni, ekspertët dhe ambientalistët kaherë kanë kërkuar zëshëm që sa më parë mbrojtja e mjedisit të bëhet një nga përparësitë e para të politikës kombëtare, të mos bëhet më politikë ditore me mjedisin, por të vendosen zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme në mbrojtjen e ajrit, ujit dhe të pyjeve të Kosovës.
/Buletini Ekonomik



