Home / Lajme / Kosova / Kosova ndez “motorët e gjelbër”: Takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë

Kosova ndez “motorët e gjelbër”: Takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë

Me synimin për të përshpejtuar tranzicionin energjetik në vend, sot është mbajtur takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë në Kosovë. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, theksoi se ky projekt është thelbësor për ndërtimin e një sektori energjetik më të pastër, më efikas dhe më të qëndrueshëm.

Ajo kujtoi se rreth 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë vazhdon të prodhohet nga impiantet e vjetra të linjitit, ndërsa ndërtesat përbëjnë mbi 40 për qind të konsumit të energjisë — një realitet që i ekspozon familjet ndaj kostove të larta dhe mungesës së izolimit adekuat.

Projekti synon të adresojë këto sfida përmes pesë shtyllave kryesore: përmirësimit të bazës ligjore dhe rregullatore, krijimit të mekanizmave të rinj të financimit për energji të pastër, rritjes së informimit dhe përfshirjes së qytetarëve, fuqizimit të komunave përmes hartimit të Planeve Lokale për Energji dhe Klimë, si dhe nxitjes së përfaqësimit të grave në sektorin e energjisë.

Shabani-Mullarama vuri në dukje edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në zbatimin e ligjeve të reja për efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtëritshme dhe performancën energjetike të ndërtesave, si dhe në harmonizimin me Paketën e Energjisë së Pastër të Bashkimit Evropian.

Projekti, i financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe BMZ – Gjermania, dhe i zbatuar nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, shtrihet në periudhën 2025–2028 dhe ka për qëllim krijimin e themeleve afatgjata për energji të pastër dhe përdorim më efikas të burimeve.

Në takim morën pjesë përfaqësues të GIZ, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, MMPHI-së, KOSTT-it, EBRD-së, Asociacionit të Komunave të Kosovës, Ambasadës së Gjermanisë, UNDP dhe LUXDev.