Home / Lajme / Kosova / Oda Ekonomike padit ZRRE-në për moszbatim të vendimit të Supremes

Oda Ekonomike padit ZRRE-në për moszbatim të vendimit të Supremes

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se Oda ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), pasi kjo e fundit nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Supreme për anulimin e vendimit që nxirrte bizneset në tregun e hapur të energjisë.

Ai tha se bordi i ZRRE-së kishte marrë një afat prej pesë ditësh për të reflektuar, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Sipas tij, vendimi i ZRRE-së ka dëmtuar bizneset pa fajin e tyre.

“Nuk e kemi bërë me dëshirë, por ka qenë hapi i vetëm për t’ua rikujtuar se moszbatimi i vendimeve të gjykatave është vepër penale. Ne u dhamë pesë ditë kohë për reflektim, por për shkak të mungesës së reagimit, jemi detyruar të ngremë kallëzim penal. Nuk do të ndalemi; tashmë kemi kaluar në fazën e dytë me juristët tanë. Bizneset janë dëmtuar me apo pa vetëdije të ZRRE-së. Ne nuk jemi fajtorë që nuk është bërë përgatitja e duhur për tregun e lirë, që mungon infrastruktura ligjore, apo që qeveria ka ushtruar ndikim për t’i shtyrë bizneset me detyrim në tregun e lirë. Bizneset këtë vit janë përballur me shumë sfida dhe çmimi i energjisë i ka detyruar të mendojnë nëse duhet të vazhdojnë apo jo aktivitetin në Kosovë”, tha Rafuna për rtv21.

Ai shtoi se me veprimet e saj, ZRRE jo vetëm po shkel ligjin, por po rrezikon të dëmtojë edhe buxhetin e shtetit.

“Ne nuk jemi fajtorë që ZRRE nuk ka profesionistë ose nuk punëson të tillë. Shpresoj që keqinterpretimet për tregun e lirë dhe për vendimin e Supremes janë bërë pa qëllim. Por me këto veprime, përveç se po kryejnë vepër penale, po e dëmtojnë edhe shtetin. Çdo padi që do të përgatisin bizneset, në përputhje me vendimin e Supremes, do të rëndojë mbi buxhetin e shtetit, sepse ZRRE nuk ka buxhet të vetin. Situata është ngatërruar aq shumë sa nuk e di si mund të zgjidhet. Shpresojmë në një bord të ri”, deklaroi ai.