Home / Lajme / Rajoni / Takimi i 63-të i ECRB kryesohet nga Fejzullahu i ZRRE, diskutohen zhvillimet rregullatore dhe tregu rajonal i energjisë

Takimi i 63-të i ECRB kryesohet nga Fejzullahu i ZRRE, diskutohen zhvillimet rregullatore dhe tregu rajonal i energjisë

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe President i Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB), Ymer Fejzullahu, ka kryesuar takimin e 63-të të Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë, i cili u mbajt më 2 dhjetor 2025 në Athinë.

Takimi trajtoi çështjet kyçe rregullatore dhe zhvillimet më të fundit në sektorin e energjisë brenda Komunitetit të Energjisë. Diskutimet nisën me prezantimin e zhvillimeve të fundit nga Agjencia Evropiane për Rregullatorët e Energjisë (ACER), vijuan me përditësimet e autoriteteve rregullatore të vendeve kontraktuese dhe me raportimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë mbi zhvillimet rajonale.

Një pjesë e veçantë e agjendës u kushtua zhvillimit të mekanizmave rajonalë për menaxhimin e kapaciteteve të transmetimit, të cilët janë thelbësorë për sigurinë e furnizimit dhe për rritjen e efikasitetit të tregut rajonal të energjisë elektrike.

Gjatë takimit u zhvilluan gjithashtu diskutime në grupet punuese të ECRB-së, përfshirë ato për Konsumatorët dhe Tregjet me Pakicë, për Energjinë Elektrike, për Gazin, si dhe për zbatimin e rregullores REMIT. Të gjitha grupet punuese prezantuan të arriturat e tyre në ndërtimin e një tregu funksional dhe të qëndrueshëm, por edhe sfidat e hasura gjatë këtij viti.

Kryesuesi Fejzullahu prezantoi para të pranishmëve edhe Programin e Punës së ECRB për vitin 2026, i cili u miratua njëzëri nga të gjithë anëtarët.

Në përmbyllje, ai falënderoi të gjithë anëtarët për punën dhe sukseset e arritura gjatë vitit 2025, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet palëve kontraktuese gjatë vitit 2026, me qëllim krijimin e një tregu energjetik transparent, konkurrues dhe të integruar.