Home / Lajme / Kosova / Ymeri i kundërpërgjigjet VV-së: Zbuloni kontratat dhe origjinën e vërtetë të energjisë së importuar

Ymeri i kundërpërgjigjet VV-së: Zbuloni kontratat dhe origjinën e vërtetë të energjisë së importuar

Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, ka reaguar sërish ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje për origjinën e energjisë elektrike të importuar, pasi VV publikoi një grafik ku pretendohej se rryma vjen nga Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia dhe Danimarka.

Në një postim në Facebook, Ymeri tha se grafika e VV-së nuk i përmban vendet reale të origjinës së rrymës, por vetëm pikat e fundit nga të cilat energjia ka hyrë në Kosovë. Ajo theksoi se Kosova ka marrë energji edhe nga Serbia dhe Bosnja, ku – siç u shpreh ajo – “gjendet Republika Srpska ose ekonomia e Vukut”, megjithëse kjo energji ka ardhur përmes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Ajo i bëri thirrje VV-së që të publikojë kontratat dhe origjinën e saktë të energjisë:

“Vendet e origjinës së rrymës nuk janë të cekura këtu, po vendi i fundit nga ka ardhur në Kosovë. Dmth, Kosova ka marrë rrymë edhe nga Serbia edhe nga Bosnja ku gjendet Republika Srpska ose ekonomia e Vuk-ut, po që ka ardhur nga Maqedonia e Veriut e Mali i Zi”.

Ymeri, e cila ka kritikuar VV-në për grafikën, shtroi edhe një pyetje lidhur me veprimtarinë e KEK-ut në vitin 2022:

“Këtu mungon Kosova pasi KEK me Nagip Krasniqin dyshohet se kanë shitur rrymë e vet si të importuar në fillim të vitit 2022. Kush mendon se puna e keqpërdorimeve në sektor të energjisë elektrike përfundon me një fotografi, e ka gabim. Duhet të shpalosni kontratat e origjinës së rrymës edhe rrugën bartëse. Pse megavati 800 euro edhe sa e paguam Vuk Hamoviq për këto 5 vjet”, ka shkruar ajo.