Raportimet dhe të dhënat e mbledhura nga Citizens.al ekspozojnë një panoramë të ngarkuar me kontradikta dhe përplasje me komunitetet sa i përket shfrytëzimit të burimeve ujore për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri: hidrocentrale joefiçente, leje të dhëna pa konsultime publike dhe mungesë raportesh për ndikimin e tyre mjedisor.
Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së 99 hidrocentraleve në gjithë Shqipërinë, të cilët pritet t’i shtohen listës së 158 hidrocentraleve të tjera që u ndërtuan në periudhën 2013-2024.
Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimet e tyre? Përvoja me rastet e shkuara tregon se komunitetet përreth nuk fitojnë gjë, përkundrazi.
Qasja e pandryshuar me hidrocentralet
Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama – në pushtet prej vitit 2013 – vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjetike, bilanci real mbetet i paqartë.
Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura.
Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave ai theksoi se 55 prej tyre “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se politika me hidrocentralet do të ndryshonte.
Sipas raportit të vitit 2013 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Shqipëria kishte asokohe 80 hidrocentrale private me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 240 megavat (MW).
Qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.
Sipas raportit të ERE-s për vitin 2019, Shqipëria kishte 197 hidrocentrale private me fuqi 827 MW.
Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.
“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,” u zotua Rama asokohe.
Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt nga qeveria, e cila vijoi me dhënien e lejeve për HEC-et e vegjël, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.
Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku për shembull “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.
ERE raportoi në vitin 2024 për 238 hidrocentrale private të prodhimit të energjisë. Një rritje me 17.2% (41 HEC-e) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar dhe 66.3% (158 HEC-e) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.
Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.
Të dhënat e siguruara nga Citizens.al prej Agjencisë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe 61 bashkitë e vendit, tregojnë se zyrtarisht janë edhe 177 HEC-e që pritet t’i shtohen vendit: 25 HEC-e janë në ndërtim, 152 në procedura për të marrë lejet.
Sipas të dhënave të AKBN-së përpos premtimeve për të mos dhënë më leje për ndërtimin e hidrocentraleve numri i tyre ka ardhur në rritje.
Nga hidrocentralet që janë në ndërtim e sipër, kontratat janë lidhur në periudha të ndryshme, duke nisur prej vitit 2013 e deri më 2025.
Përkatësisht, kemi 1 kontratë të lidhur në 2013-ën, katër në 2015-ën, pesë në vitin 2017, shtatë në vitin 2018, një në vitin 2019, tre në vitin 2021, dy në vitin 2023 dhe dy të tjera në vitin 2025.
Kontratat për 152 hidrocentralet që janë në procedura për të nisur nga puna, ngjashëm ndahen në periudha të ndryshme duke nisur nga viti 2010, të cilat ende nuk janë finalizuar edhe më sot.
Kështu, në 2010 janë lidhur shtatë kontrata, në 2011 tetë të tilla, në 2012 nëntë kontrata, në 2013 pesë kontrata, në 2015 katër kontrata, në 2016 10 të tilla, në 2017 16 kontrata, në 2018, 22 kontrata, në 2019 gjashtë kontrata, në 2020, dy të tilla, në 2021 katër kontrata, në 2022 një kontratë, në 2023 pesë kontrata, në 2024 tre kontrata.
Sipas të dhënave të AKBN-së edhe për hidrocentralet që kanë hyrë në prodhim në 15 vitet e fundit, 131 të tilla, viti kur janë lidhur më shumë kontrata është 2013, me 41 të tilla.
Më pas vjen viti 2017 me 31 të tilla, viti 2018 me 18, vitit 2011 me 17, 2012 me 14, vitit 2010 me 5 kontrata, vitit 2019 me dy të tilla, dhe viti 2015 dhe 2016 me nga një kontratë secili.
Në mungesë të një strategjie të re për energjinë e rinovueshme, Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te lumenjtë – burime që po shterojnë përveç ndikimit të ndryshimeve klimatike, edhe prej presionit të investimeve private dhe mungesës së kontrollit publik.
Thuajse gjysma e prodhimit (41.7%) tashmë vjen nga centralet private. Numri fotovoltaikëve është shtuar ndjeshëm (21), por shpesh edhe këto janë shoqëruar me probleme në ndikimin në mjedis dhe komunitete.
Prej vitit 2013 pesha e kapaciteteve prodhuese të hidrocentraleve private është pesëfishuar nga 240 MW në 1,222 MW (45.8% e totalit).
Ndërkohë mungojnë të dhënat e përgjithshme për efektet që ky zgjerim i madh ka bërë në natyrë dhe komunitete.
Ku do të ndërtohen hidrocentralet?
Nga 25 hidrocentralet që janë në ndërtim, dy prej tyre janë në Elbasan, pesë në Gramsh, një në Çorovodë, katër në Maliq, një në Pukë, dy në Fushë Arrëz, dy në Bulqizë, një në Burrel, katër në Peshkopi, një në Klos, një në Kaçinar (Rrëshen) dhe një në Hekal të Tiranës.
Ndërsa nga 152 hidrocentrale që janë në procedura, ndarja është e tillë:
- Dy në Elbasan
- Tetë në Librazhd
- Dy në Përrenjas
- Nëntë në Gramsh
- Një në Belsh
- 10 në Çorovodë
- Katër në Korçë
- Tre në Ersekë
- Dy në Pogradec
- 12 në Devoll
- 15 në Kukës
- 10 në Bajram Curr
- Tetë në Koplik
- 10 në Fushë Arrëz
- Tetë në Pukë
- Tre në Shkodër
- Gjashtë në Bulqizë
- Tetë në Burrel
- Një në Peshkopi
- Nëntë në Klos
- Katër në Rrëshen
- Dy në Kurbin, Finiq dhe Tepelenë
- Një në Poçem të Fierit, Himarë dhe Memaliaj
- Tetë në Selenicë
Kaçinari: “Uji në tuba” dhe një komunitet në revoltë
Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.
Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.
Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres – rreth 40 minuta larg nga Rrësheni – ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.
“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.
Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.
Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.
Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.
Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.
Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.
Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.
Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.
Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë.
Kurdaria: Një verë e nxehtë kundër HEC-it “Doma”
Në Kurdari të Matit, vera shënoi nisjen e punimeve për HEC-in “Doma”, një projekt i “Global Interprise Group” që pritet të shfrytëzojë lumin e Lusës dhe të hapë një trase të re rruge prej 4.4 km.
Për banorët, ky projekt vjen në një kohë kur ata vuajnë për ujë, pavarësisht investimeve në ujësjellës.
Erind Saliaj, administrator i Njësisë Administrative Suç, shpjegoi për Citizens.al se pesë fshatrat e zonës – Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim – nuk kanë furnizim të rregullt dhe se ndërtimi i një hidrocentrali është “absurd” në këto kushte.
Tregues për situatën ishte gjendja në kafenenë më popullore të fshatit, e cila shërbente vetëm ujë të ambalazhuar, teksa çezma e oborrit të saj ishte tharë.
Procesi i dëgjesave publike ka qenë pika kryesore e tensioneve në këtë çështje, e cila është shoqëruar me protesta dhe përplasje me kompaninë.
Një ekskavator dhe furgon me gomë të çarë qëndronin të braktisur në fund të trasesë së hapur si dëshmi e përplasjeve. Ato ruheshin nga një kamerë, e cila për ironi furnizohej me panel diellor.
Sipas banorëve, dëgjesa e parë, e vitit 2018, tregoi se shumica ishin kundër hidrocentraleve, por ndryshe, në procesverbal u paraqit si shprehje dakordësie.
Rexhep Kuleni, një nga zërat më të fortë të komunitetit, tha se ky veprim përbën shkelje penale, për të cilën duhet gjetur përgjegjësia.
Ai kujton dëgjesën e dytë të mbajtur në vitin 2020, kur rreth 500 banorë u mblodhën dhe kërkuan që përfaqësuesi i kompanisë që interesohej për hidrocentralin të largohej.
Por pavarësisht kundërshtive dhe premtimeve se nuk do të rikthehej në zonë, koncesionari u shfaq sërish, duke marrë firma në mënyrë të veçuar, pa pjesëmarrje lajmëruar të komunitetit apo autoriteteve.
“Marrin ca firma në mënyrë abuzive, ku një pjesë e madhe nuk e dinë çfarë kanë firmosur,” tha Kuleni, sipas së cilit në këto dëgjesa nuk ka pasur përfaqësues të bashkisë.
Banorët thonë se mungon transparenca, të dhënat, dhe mbi të gjitha mungon uji. Për ta, hidrocentrali është kërcënim ekzistencial dhe social, jo një projekt energjetik.
Zona, e njohur dhe si “hambari i Matit” për prodhimet bujqësore është zotuar se nuk do ta lërë projektin e hidrocentralit që të zbatohet duke vijuar ndalimin e makinerive t’i bashkohen kantierit.
“Nuk do ta lëmë, me firma të vjedhura, me firma të blera, populli nuk pranon,” theksoi Enver Dava, tokat e të cilit bien krah trasesë së hidrocentralit.
Paralelisht, banorët e kanë adresuar kundërshtinë e tyre edhe në rrugë gjyqësore. Në tetor, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i ndali punimet deri në një vendim në themel të çështjes, por pavarësisht kësaj banorët mbeten me shpresë për një vendim të drejtë.
Zall-Gjoçaj: HEC-et u ndërtuan, por beteja kundër tyre vazhdon
Në Zall-Gjoçaj, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” morën formë mes polemikave, por qëndresa e komunitetit atje vijon prej më shumë se shtatë vitesh.
Reportazhet e emisionit “Opinion” nga Blendi Fevziu dhe portali Lexo.al nga Flogert Muça, promovuan me kërshëri gjatë muajve shtator-tetor investimet në hidrocentralet e Zall-Gjoçajt.
Materialet u përpoqën t’i jepnin një dimension tjetër investimit privat të sipërmarrësit italian Fabio Scuero. Sipas tyre tre HEC-et e ngritura në basenin e Urakës me kapacitet 30 MW, janë shoqëruar me investime për një rrjet ujësjellësi për 17 fshatra dhe rreth 90 km rrugë.
Por reportazhet ngjallën zemëratën e banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët prej vitit 2018 kanë protestuar kundër HEC-eve.
Në një deklaratë të përbashkët aktivistët e cilësuan atë reklamë duke kujtuar se Zall-Gjoçaj është bërë simbol rezistence pikërisht sepse HEC-et u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, një zonë e mbrojtur që u tkurr me një vendim të qeverisë në vitin 2022 për t’i hapur rrugë projektit të HEC-it “Zais”.
Prej vitesh, banorë si Abdi Toçi, Dhimitër Koleci dhe Adem Gjokolaj kanë protestuar, kallëzuar zyrtarë publikë dhe kanë çuar çështjen e Zall-Gjoçajt në disa procese gjyqësore.
Në tetor, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin që legjitimonte ndërtimin e HEC-eve, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e kontratave dhe akteve administrative.
Avokati i tyre, Franc Terihati, tha për Citizens.al se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa Koleci tha se një padi tjetër po hetohet nga SPAK, dhe një padi penale mbetet e hapur për dëmet e shkaktuara gjatë punimeve, nga prishja e kanalit të ujit e deri te hedhja e inertëve në varreza.
Ndërkohë, kompania ka paditur vetë aktivistë e banorë për shpifje, gjë që komuniteti e sheh si formë presioni për të heshtur rezistencën.
Në terren, pasojat sipas banorëve janë të prekshme: uji është i gjithi në tuba, burimet e fshatit janë shteruar dhe lumi nuk ka më prurjen e mëparshme. Banorët thonë se gjatë verës nuk kishin ujë as për të fikur zjarret, ndërsa bagëtia dhe bletët kanë pësuar dëme të pakthyeshme.
Për Zall-Gjoçajn, beteja nuk ka të bëjë vetëm me një projekt energjetik, por me të drejtën për të ekzistuar brenda peizazhit të tyre.
Edhe pse hidrocentralet u ndërtuan, çështjet ligjore, pasojat mjedisore dhe mosbesimi ndaj institucioneve vazhdojnë ta mbajnë fshatin në një konflikt të hapur me modelin kombëtar të zhvillimit hidroenergjetik.
Lufaj njësoj si Zall-Gjoçajt përballë thatësirës
Në Lufaj të Mirditës, banorët përballen me të njëjtin model të ndërtimit të hidrocentraleve – devijim burimesh ujore pa transparencë dhe pa dëgjesa me komunitetin.
Në korrik ata protestuan kundër kompanisë “Seka Hydropower”, me pretendimin se ajo nuk respektonte kontratën e shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës duke mos lëshuar rrjedhë për nevojat e tyre.
Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Devijimi i prurjeve kishte ulur ndjeshëm burimet duke detyruar disa familje të merrnin ujë gjetkë me mjete të improvizuara.
Banorët thanë për Citizens.al se ata kishin qenë kundër ndërtimit të HEC-ve që para vitit 2017, por që zëri i tyre nuk ishte dëgjuar.
“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor.
Lufaj e lidh drejtpërdrejt fatin e saj me Zall-Gjoçajt, ku hidrocentralet u ndërtuan brenda Parkut Kombëtar të Lurës dhe Malit të Dejës, duke sjellë konflikt të gjatë me komunitetin, ndërhyrje policore dhe pasoja të pakthyera në ekosistem.
“Energji e gjelbër” me kosto të errët
Modeli i hidrocentraleve në Shqipëri është shitur si “një model i gjelbër”, por në realitet ka sjellë dëme të pakthyeshme ekologjike dhe ekonomike në nivele lokale, por edhe kombëtare.
Biologu Olsi Nika, i cili drejton organizatën mjedisore “Eco Albania”, thekson për Citizens.al se shumë projekte hidroenergjetike janë miratuar mbi leje të diskutueshme dhe pa analiza të plota të ndikimit, duke krijuar një zinxhir pasojash që shkon nga shpyllëzimi te shkatërrimi i habitateve ujore.
Sipas tij, devijimi i ujërave, rezervuarët e mëdhenj, ndotja, ndryshimi i temperaturës dhe oksigjenit kanë çuar në humbje speciesh, eutrofikim dhe homogjenizim të biodiversitetit – një proces që shumë zona nuk e rikuperojnë kurrë.
Rast konkret përmendet trofta apo dhe peshq të tjerë migratorë, të cilët nuk arrijnë zonat e shumimit për shkak të devijimeve të lumit apo dhe vetë impianteve hidroenergjetike.
Raporti për Zall-Gjoçajn i biologut Melitjan Nezaj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e konkretizon problemin.
Me lënien e një sasie minimale të ujit ekologjik, shtrati i lumit thahet pak qindra metra larg veprave të marrjes.
“Në shtratin tashmë pa ujë kanë nisur të shfaqen bimë të mjediseve të thata, një shenjë e qartë e mungesës afatgjatë të ujit,” thekson Nezaj.
Kjo ka zhdukur faunën nënujore, ka degraduar bimësinë dhe ka goditur bujqësinë e banorëve, të cilët varen nga uji për prodhim dhe blegtori.
Ndërtimet kanë lënë pas inertë, kanale të dëmtuara dhe masa rehabilituese të dështuara, shpesh me bimësi jovendase dhe vendkalime peshqish që nuk funksionojnë.
Të dy ekspertët vlerësojnë se këto dëme nuk janë thjesht teknike, por strukturore: një model zhvillimi që shpërfill ligjin dhe zonat e mbrojtura, mungesën e konsultimeve, ndikimet afatgjata dhe transparencën.
“Shumë komunitete,” thekson Nika, “mësuan për projektet e HEC-eve vetëm kur kishin nisur punimet”.
Konfliktet për ujërat janë bërë tipike – nga Rapuni te Kaçinari, Kurdaria, Zall-Gjoçaj e Lufaj – duke treguar se përfitimet i shkojnë pak aktorëve, ndërsa kostoja bie mbi komunitete dhe ekosisteme të cenueshme.
Ata që fitojnë nga ky model mbeten disa kompani, disa prej të cilave me kapitale të huaja. Ndërsa komunitetet humbasin të tjera burime dhe mundësi zhvillimi duke pasur një arsye më shumë për t’u larguar.
Në plan më të gjerë, ekspertët argumentojnë se hidrocentralet e vogla me fuqi të ulët kanë efikasitet të diskutueshëm dhe shpesh gjurmë të larta karboni, përfshirë prodhimin e metanit nga rezervuarët.
Për biologun Nika, energjia hidroelektrike në Shqipëri duhet parë si “me karbon të ulët, por me ndikim të lartë”, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm kërkon orientim te burimet që nuk fragmentojnë lumenjtë: kryesisht energjia diellore dhe ajo e erës.



