Turqia ka zgjatur dy kontrata importi të gazit rus që përfundojnë në fund të vitit 2026, tha sot zëvendësministri i Energjisë, Ahmet Berat Conkar.
“Turqia tashmë ka ulur furnizimin me gaz rus në 40% dhe synon ta ulë atë më tej në 25% për të shmangur varësinë nga një furnizues i vetëm”, u tha Conkar sot gazetarëve, në Ankara.
“Për momentin, Turqia ka ende nevojë për gaz nga Rusia, Azerbajxhani dhe vende të tjera”, tha Conkar.
Ai shtoi se SHBA-ja e kishte pranuar këtë domosdoshmëri, pavarësisht se presidenti amerikan, Donald Trump i kishte kërkuar Ankarasë në shtator të ndalonte blerjet e naftës dhe gazit rus.
Turqia po zgjeron gjithashtu prodhimin vendas, kryesisht nga rezervat e gazit në Detin e Zi të zbuluara pesë vjet më parë.
Ndërsa nxjerrja e rezervave të gazit filloi në vitin 2023 dhe aktualisht mbulon një pjesë të vogël të kërkesës, qeveria synon të sigurojë 25% të nevojave të saj në Sakarya – një provincë metropolitane në Turqi, e vendosur në bregdetin e Detit të Zi – deri në vitin 2028.
Turqia, si organizatore e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike vitin e ardhshëm, planifikon të rrisë energjinë e rinovueshme për të arritur emetime neto zero deri në vitin 2053. //a.i/



