Home / Lajme / Kosova / OEK dorëzon kallëzim penal ndaj Bordit të ZRRE-së për dëmtim të bizneseve

OEK dorëzon kallëzim penal ndaj Bordit të ZRRE-së për dëmtim të bizneseve

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke i akuzuar për mos‐ekzekutim të vendimit gjyqësor, keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkelje të detyrimit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe cenim të interesit ekonomik publik.

Sipas OEK, ky hap është ndërmarrë pasi Bordi i ZRRE-së ka refuzuar të zbatojë aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, i cili obligon kthimin e bizneseve të detyruara të kalojnë në tregun e lirë përsëri në tarifat e rregulluara. OEK pretendon se Bordi jo vetëm që ka neglizhuar aktgjykimin, por edhe e ka keqinterpretuar atë, duke shkaktuar dëme serioze financiare për bizneset dhe qytetarët, të cilët po përballen me faturat më të larta të energjisë në historinë e Kosovës.

Kallëzimi penal është ngritur mbi bazën e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, dokumenteve dhe komunikatave zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialeve shtesë që, sipas OEK, dëshmojnë qartë dëmin ekonomik të shkaktuar.

Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë interesat e komunitetit të biznesit dhe qytetarëve, duke kërkuar llogaridhënie dhe zbatim të vendimeve të gjykatave nga institucionet përgjegjëse.