Home / Lajme / Kosova / Forumi i parë kombëtar për biomasën e drurit: Nga mbetjet pyjore drejt ekonomisë qarkore

Forumi i parë kombëtar për biomasën e drurit: Nga mbetjet pyjore drejt ekonomisë qarkore

Me temën “Nga mbetjet pyjore drejt ekonomisë qarkore”, është mbajtur Forumi i parë Kombëtar për Biomasën e Drurit, një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të sektorit të bioenergjetikës dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve pyjore në vend.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, znj. Leonita Shabani Mullarama, theksoi se biomasa konsiderohet komponent kyç për zgjerimin e furnizimit me energji dhe uljen e kostove të ngrohjes, si dhe për menaxhimin efikas të resurseve natyrore. Ajo shtoi se përmes bashkëpunimit me institucionet qendrore dhe lokale, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, Ministria ka ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin e sektorit të biomasës, duke kontribuar në zgjerimin e kapaciteteve të ngrohjes dhe promovimin e përdorimit të burimeve të qëndrueshme.

Forumi lidhet me objektivat e Strategjisë së Energjisë 2022–2031, e cila parashikon modernizimin e sistemit të ngrohjes dhe përdorimin e energjisë nga burime të qëndrueshme. Ministria e Ekonomisë ka mbështetur ngrohtoren e Gjakovës me rreth 2 milionë euro gjatë periudhës 2021–2025 për blerjen e biomasës dhe shpenzimet operative, ndërsa investimi në kogjenerim, mbështetur nga Bashkimi Evropian, ka kthyer ngrohtoren e qytetit në një sistem modern dhe të qëndrueshëm.

Gjatë Forumit u mbajt edhe paneli “Kuadri Ligjor dhe politikat për zhvillimin e tregut të qëndrueshëm të energjisë nga biomasa drusore”, ku Drejtori i Departamentit të Energjisë në ME, z. Luan Morina, theksoi se promovimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, dhe veçanërisht biomasa dhe teknologjitë e reja për prodhimin e energjisë, janë të rregulluara me ligj dhe përbëjnë bazën për mbështetje dhe investime.

Forumi synoi krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për koordinim ndërinstitucional, dialog politikash dhe planifikim strategjik, ndarjen e praktikave më të mira, promovimin e investimeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të mbetjeve pyjore për energji të gjelbër.