Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur rrugën historike që çoi në themelimin e kompanisë Elektrosever dhe sfidat që ka sjellë kjo për sovranitetin energjetik të Kosovës.
Sipas Muja, në vitin 2010, gjatë bashkëqeverisjes PDK-LDK, dokumentet e KEK tregojnë se Kryeshefi, me miratimin e Qeverisë së Kosovës, kishte takuar Ministrin për “Kosovë e Metohi” në Qeverinë e Serbisë dhe i kishte propozuar themelimin e një kompanie ESKO, përgjegjëse për faturim dhe mirëmbajtje në veri. Më vonë, në vitin 2013, kjo ide u formalizua përmes marrëveshjes për themelimin e Elektroseverit.
Muja thekson se kjo qasje jo vetëm që cenonte sovranitetin energjetik të vendit, por edhe hapte derën për një regjim të veçantë në veri, duke e njohur de fakto Beogradin si bashkë-menaxher brenda territorit të Kosovës.
“Sot, kur kjo e vërtetë del në pah, është detyrim institucional dhe politik që kjo mendësi politike të mos rikthehet dhe të mos përsëritet më asnjëherë,” ka theksuar Muja.
Ai përmend se që nga viti 2020, Kosova është pjesë e bllokut energjetik Kosovë-Shqipëri. Me ardhjen e Qeverisë Kurti janë konfiskuar aparatet e kriptovalutave, trafostacioni i Vallaq-it është rikthyer dhe qytetarët nuk paguajnë më për humbjet në komunat veriore.
Muja përfundon duke theksuar se transparenca, ligjshmëria dhe mbrojtja e interesit kombëtar janë e vetmja rrugë përpara në sektorin energjetik.



