Home / Highlights / Tranzicioni energjetik dhe zbutja e ndikimeve klimatike: Lansohen udhëzimet për mekanizmat e rinj financiarë për banimin dhe NVM-të

Tranzicioni energjetik dhe zbutja e ndikimeve klimatike: Lansohen udhëzimet për mekanizmat e rinj financiarë për banimin dhe NVM-të

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Agjencia e Zhvillimit të Luksemburgut (LuxDev) kanë lansuar udhëzimet e reja për dy mekanizma të dedikuar financiarë që synojnë sektorin e banimit dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme (NVM). Këto udhëzime shënojnë një hap të rëndësishëm në përforcimin e tranzicionit energjetik dhe rritjen e efiçiencës së energjisë në nivel vendi.

Ngjarja mblodhi përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, institucione ndërkombëtare financiare, banka komerciale, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, si dhe komunitetin akademik, përfshirë Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës. Pjesëmarrësit u njoftuan për strukturën, funksionimin dhe objektivat e mekanizmave të rinj të financimit, që synojnë të rrisin qasjen e qytetarëve dhe bizneseve në investime për kursim energjie.

Ekspertët e FKEE-së dhe LuxDev-it kanë finalizuar manualet dhe dokumentacionin që do të udhëheqë këto dritare të reja të investimeve nga viti 2026 e tutje. Sipas FKEE-së, skemat e reja do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të orientuara drejt nevojave të përdoruesve, duke u mbështetur në përvojën e deritanishme me programet e subvencioneve dhe investimeve kthyese.

Me mbështetjen teknike të LuxDev dhe financimin e Qeverisë së Luksemburgut, FKEE synon të zgjerojë kapacitetet strategjike dhe operative për të avancuar praktikat e efiçiencës së energjisë në të gjithë vendin.

FKEE ka theksuar se këto mekanizma të rinj pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e konsumit të energjisë, modernizimin e infrastrukturës së banimit dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së NVM-ve, duke kontribuar njëkohësisht në zbutjen e ndikimeve klimatike dhe tranzicionin energjetik të Kosovës.